Fakulteti i Mjekësisë sqarohet rreth 'njoftimit' për anulimin e provimeve për shkak të sulmeve të Iranit

Gjatë ditës së sotme mediat kanë raportuar se Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” kishte anuluar provimet e muajit janar për shkak të sulmeve të Iranit ndaj bazave amerikane në Irak.

KALLXO.com në lidhje me këtë çështje ka kontaktuar dekanen e këtij fakulteti, Suzana Manxhuka-Kërliu, e cila ka thënë se Dekanati i Fakultetit nuk e ka publikuar një gjë të tillë.

Manxhuka-Kërliu ka sqaruar se disa persona të tjerë të panjohur për ta kanë modifikuar publikimet e mëhershme të Fakultetit të Mjekësisë në uebfaqe.

“Ne nuk kemi publikuar asnjë të tillë në uebfaqe të FM. Dikush ka manipuluar duke modifikuar postimet e mëhershme në web të nëntorit të vitit 2019”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Postimi erdhi në ditën kur mbi 10 raketa iraniane goditën dy baza ushtarake amerikane në Irak në të cilën strehoheshin ushtarët amerikanë dhe personeli i shteteve të koalicionit.

Njoftohen studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Studimeve të Integruara Themelore, Bachelor dhe Master, se pas sulmeve të Iranit mbi bazat ushtarake amerikane në Irak, dekanati ka marrë vendim që afati i janarit të shtyhet deri në një afat të caktuar”, thuhej në postimin e publikuar në media.