Facebook ndalon llogaritë e teorisë konspirative QAnon

Rrjeti social Facebook i ndaloi të gjitha llogaritë që lidhen me teorinë e konspiracionit QAnon.

“Nisur nga sot, ne do t’i heqim faqet në Facebook dhe grupet dhe llogaritë në Instagram”, tha kompania në një deklaratë të lëshuar të martën.

QAnon është një teori konspirative e pabazuar, që thotë se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po zhvillon një luftë të fshehtë kundër pedofilëve që adhurojnë djallin në qeveri, biznes dhe media.

Kjo teori ka nisur të qarkullojë qysh në vitin 2017 dhe është përhapur përmes grupeve sekrete në Facebook, llogarive në Twitter dhe videove në YouTube.

Numri i grupeve të QAnon-it në Facebook thuhet se është rritur ndjeshëm gjatë masave të izolimit nga koronavirusi, në pranverë.

Facebook tha se stafi i tij ka nisur ta heqë përmbajtjen e QAnon-it dhe t’i fshijë grupet dhe faqet e tij, por paralajmëroi se “kjo punë kërkon kohë” dhe se “do të vazhdojë në ditët dhe javët e ardhshme”.

Në korrik, Twitter ndaloi mijëra llogari të QAnon-it dhe tha se do të ndalojë së rekomanduari përmbajtje të lidhur me këtë teori. /REL