EULEX-i angazhon ekip të specializuar në veri të Kosovës

Misioni i Bashkimi Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka bërë të ditur se është përforcuar me një ekip të specializuar prej gjashtë këshilltarëve policorë, të cilët do të shërbejnë në veri të vendit.

Sipas njoftimit, këshilltarët policorë do të punojnë në komunat veriore në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me këshilltarët e Lartë Policorë të EULEX-it.

“Dislokimi i Ekipeve të Specializuara me ekspertizë dhe kapacitete të ndryshme, është një instrument i ofruar nga Kompakti i Politikës Civile të Përbashkët për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) i miratuar në maj 2023 për të dislokuar shpejt ekspertë në Misionet Civile të CSDP-së për t’iu përgjigjur me shpejtësi nevojave operacionale dhe zhvillimeve të sigurisë në terren” – thuhet në njoftim.

Dislokimi i ekipit të EULEX-it do të zgjasë fillimisht për dy muaj, “me mundësinë e vazhdimit derisa ,isioni ta ketë krijuar një kapacitet afatgjatë këshillues policor në veri të Kosovës”.

Ekipi i specializuar përbëhet nga tre pjesëtarë nga Holanda dhe tre nga Suedia, ndërsa EULEX thotë se do ta këshillojë Policinë e Kosovës se si t’i kryejë më mirë aktivitetet e rregullta policore gjatë parandalimit dhe luftimit të krimit dhe ofrimit të sigurisë, duke e monitoruar gjithashtu respektimin e detyrimeve të tyre për të drejtat e njeriut, për t’i shërbyer komuniteteve që ata i mbrojnë dhe për ta rritur besimin e popullatës përmes punës policore të orientuar në komunitet.

Përforcimet e EULEX-it në veri vijnë pas gjendjes së krijuar të sigurisë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, nga i cili u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku  nga sulmet e një grupi të armatosur serb, në krye me Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e Listës Serbe.