Gabriel Escobar

Escobar: Reciprociteti i targave na zuri në befasi, por eventualisht do të ndodhte

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Gabriel Escobar ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes mes për targa mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Sot ishte një sukses i rëndësishëm që nxori në pah dy gjëra: Dialogu i udhëhequr nga BE është vërtet një vend për gjetjen e zgjidhjeve dhe ata e përmbushën rolin e tyre sot. Ne jemi krenarë për palët që tregojnë përkushtim”, tha ai.

Escobar në një konferencë për media, tha që qëllimi i vizitës së tij në Bruksel dje, kur edhe po zhvilloheshin takimet mes palëve, ishte që të tregonte mbështetje për dialogun.

“Qëllimi i vizitës sime ishte për të treguar mbështetjen time për këtë dialog. Mendoj që kemi ende një rrugë të gjatë në dialog, unë do ta mbështes Lajçakun dhe ekipin e tij që të shohim për zgjidhje konstruktive”, tha ai.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan tha që reciprociteti i targave i ka zënë në befasi, por që sipas tij kjo do të ndodhte.

“Implementimi i reciprocitetit na befasoi por eventualisht kjo do të ndodhte, jam i lumtur që kemi ulur problemet që kanë ardhur me atë”, tha ai.

Sot në Bruksel, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për targat.

Sipas kësaj marrëveshje, njësitet speciale policore të vendosura në pikëkalimet e përbashkëta kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me barrikadat, duke nisur nga 2 tetori, ora 08:00 deri në orën 16:00 të asaj dite.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të angazhohet në këto dy pika në Jarinjë dhe Bërnjak, para nisjes së tërheqjes të zyrtarëve policorë dhe barrikadave, dhe do të mbetet aty për dy javë për të garantuar sigurinë.

Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari përkohësisht regjimi i letrave ngjitëse, në vend të heqjes së targave të makinave të regjistruara në Kosovë dhe Serbi, deri në gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.-Më 21 tetor do të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit për të gjetur një zgjidhje të përhershme.