Enver Hoxhaj në konferencë për media; Fotografi: PDK

Enver Hoxhaj: Udhëheqësit serbë janë hedhur në revansh për të goditur arritjet e Kosovës

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se përderisa Kosova po përballet me goditje aktakuzash,  Serbia po udhëhiqet  nga bashkëpunëtorët e drejtpërdrejtë të regjimit të Millosheviqit.

Hoxhaj në një konferencë për media, pas paraqitjes së Kadri Veselit në Speciale, tha se bashkëpunëtorët e Millosheviqit asnjëherë nuk janë dënuar dhe nuk kanë kërkuar falje për gjenocidin në Kosovë, por janë hedhur në revansh këto ditë për të goditur arritjet e Kosovës.

“Kjo është situata më e vështirë dhe më komplekse politike që ka pasur Kosova që nga viti 1999 e deri më sot, dhe një situatë e tillë nuk duhet të na gjejë ne të përçarë dhe të papërgatitur” tha ai.

Sipas tij, lufta e Kadri Veselit,  Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe shumë luftëtarëve të tjerë e ka bërë Ballkanin e sotshëm më të drejtë dhe më paqësor.

“Kjo është një goditje ndaj luftës së drejtë, të pastër  dhe mbrojtëse të UÇK-së. Ky proces i cili filloi këtë javë vë në dyshim e në pikëpyetje themelin e shtetit të Kosovës, i cili është i ndërtuar mbi luftën legjitime të popullit tonë”, tha Hoxhaj.

Ish-udhëheqësi i UÇK-së dhe ish-shefi i shërbimit informativ të Kosovës, Kadri Veseli sot u deklarua në lidhje me akuzat e pretenduara për krime lufte në Gjykatën Speciale.

Veseli tha se i ka kuptuar dhe lexuar akuzat dhe se është krejtësisht i pafajshëm.

“I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës, me lejoni të deklarohem se jam i tërësisht i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha shkurt Veseli.

Veseli po mbahet në paraburgim në Hagë sikurse tre ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së.

Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u arrestuan pasi më 26 tetor 2020 ndaj tyre u konfirmuan aktakuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Dje gjatë ditës para gjykatës dolën edhe ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ish- zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi.

Katër krerët e UÇK-së akuzohen se gjatë marsit 1998 dhe shtatorit 1999 kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit duke arrestuar dhe ndaluar persona civil në mënyrë të paligjshme, duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.