Eliza Hoxha: Komisioni për Arsim nuk e ka bërë propozimin për rritjen e numrit të studentëve në Mjekësi

Deputetja e PDK-së dhe anëtarja e Komisionit për Arsim, Eliza Hoxha i është përgjigjur Ministrit të Arsimit Arsimit, Ramë Likaj në pretendimin se ky komision ka kërkuar nga ai që të rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë.

Likaj më herët mori vendim për rritjen e numrit të studentëve.Në këtë vendim ai tha se ka qenë kërkesë e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe Komisionit për Arsim.

Por, Hoxha tha se Komisioni për Arsim nuk e ka votuar një vendim të tillë.

“Vendimi i Ministrit të Arsimit dhe Shkencës për të rritur numrin thotë ndër të tjera se bazohet në vendim edhe nga Komisioni për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rini e Sport.  Ne nuk kemi votuar asnjë vendim të tillë asnjëherë por jemi në dijeni të shkëmbimeve të emailave “privat” lidhur me këtë.  Për keqardhje dhe e turpshme poaq sa kundër ligjore”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ajo tha se ka kohë që të gjithë deputetëve na ka ardhur kërkesë nga një grup studentësh të mjekësisë për rritje të numrit në fakultetin e mjekësisë, por se nuk e kanë votuar këtë në Komisionin për Arsim.

“Personalisht u kam kthyer përgjigje duke ju thënë se është jashtë kompetencave tona si deputet të bëjmë një gjë të tillë.  Kjo çështje është ngritur në Komisionin për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rini e Sport me kërkesën e deputetëve të pozitës që të bëhet rekomandim lidhur me këtë çështje..\ Personalisht unë dhe kolegu im Sejdi Hoxha nuk jemi pajtuar që të bëhet një gjë e tillë duke e cilësuar si ndërhyrje në organet përgjegjëse për Arsimin e Lartë dhe për këtë ekziston edhe transkripti nga takimi”, tha më tej Hoxha.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj e ka përkrahur propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2019/20.

Likaj vendimin e ka marrë sot dhe në të ka shkruar që të rritet numri për 50 studentë në Mjekësi të Përgjithshme.

Kujtojmë se Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka kërkuar që të rritet numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë për vitin akademik 2020/2021, për arsye të numrit të vogël të mjekëve në Kosovë.

Zemaj kishte bërë të ditur se kërkesën e ka drejtuar tek ministri i Arsimit, Ramë Likaj, tek menaxhmenti i UP-së dhe tek dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu.

Por, as dekanja e Fakultetit të Mjekësisë dhe as rektori i UP-së, Naser Sahiti nuk janë pajtuar me kërkesën e ministrit, Armend Zemaj për rritjen e numrit të studentëve.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Këshillin Shtetëror të Cilësisë për të pyetur lidhur me konsultimin që Ministri thotë se e ka bërë me ta dhe po pret përgjigje.

Edhe vitin e kaluar, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi kishte obliguar Universitetin e Prishtinës që të rris numrin e studentëve në Fakultetin e Mjekësisë edhe pse Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) e kishte kundërshtuar një gjë të tillë. Kujtojmë se KShC ëshë organ që vendos për rritje të numrit të studenteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve ndërkombëtarë.

Likaj ia aprovon kërkesën Zemajt për rritjen e numrit të studentëve në Mjekësi

.