Foto: KALLXO.com

Ekspozita "Lulet kundër luftës", refugjatja nga Ukraina hap ekspozitë në Prishtinë

Ndër aktivitetet që kanë shënuar Ditën Botërore të Refugjatëve në Prishtinë, ka qenë edhe ekspozita “Lulet kundër luftës” e gazetares refugjate nga Ukraina, Lyudmila Makey.

”Kur lufta filloi, bota ime u kthye përmbys dhe humbi ngjyrat e saj, por në Prishtinë unë takova persona fantastik si Feride Rushiti, që më ndryshuan jetën time dhe i sollën ngjyra botës sime” – ka thënë e emocionuar Makey pas një prezantimi të shkurtë në gjuhën shqipe.

Sipas saj, Prishtina e ka frymëzuar që të vizatojë dhe këtë ekspozitë ia dedikon Ukrainës, me qëllimin për t’i ndihmuar kolegëve të saj ukrainas duke i shitur punimet e saj. Paratë e fituara nga pikturat e shitura tha se do t’i dhurojë si donacion në Unionin Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka thënë se kjo ekspozitë është dëshmia më e mirë se si mund të trajtohet një refugjat në Kosovë.

Sipas Rushitit, Dita e Refugjatëve shërben si një kujtesë solemne se pas çdo statistike dhe tituj lajmesh fshihet një histori njerëzore e guximit, shpresës dhe vendosshmërisë.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tregoi se edhe vet ka qenë refugjate dhe solidarizohet me të gjithë refugjatët në të gjithë botën.

”Sikurse edhe të gjithë të tjerët në Kosovë, edhe vetë kam qenë refugjate ndaj në këtë ditë nuk ka se si mos të solidarizohem me të gjithë refugjatët anë e kënd botës, por në veçanti me ata që sot e kanë strehë Republikën tonë” – tha presidentja gjatë fjalimit të saj.

Osmani e ka kujtuar Kosovën 24 vjet më parë, kur kosovarëve i ishin hapur dyert nga shumë shtete të botës duke shtuar se duhet të sigurohen që tmerret e tilla mos të përsëriten kurrë më.

”Refugjatët nuk janë thjeshtë numra, por janë individë me ëndrra, aspirata, me potencial, ata mishërojnë shpirtin e paepur të mbijetesës njerëzore dhe shpresën e palëkundur për një të ardhme më të mirë, ekspozita e sotme nga Lyudmila është pikërisht një dëshmi e kësaj” – është shprehur presidentja.

Shefi i misionit të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) në Kosovë, Arjun Shrestha, tha se për refugjatë larg shtëpive, ndjenja e mikëpritjes tregon shpresë, duke i fuqizuar ata dhe njëherit ai i ka përgëzuar autoritetet kosovare për të drejtat e refugjatëve.

”Sot kjo ekspozitë është një mbështetje e fortë për të drejtat e refugjatëve, më shumë se gjithçka shumica e refugjatëve kanë dëshirë të kthehen në shtëpitë e tyre, por në një botë si kjo, gjëja më mirë është mundësia ta kontrollojnë jetën e tyre, mundësia që të përdorin talentet e tyre, që të kontribojnë në komunitet” – tha Shrestha.

Në anën tjetër, Amina Omid gazetare nga Afganistani, duke treguar përvojën e saj si refugjate në Kosovë ka thënë se pasi la familjen e saj në Afganistan, Kosova është bërë një shtëpi e dytë për të.

“Kur erdha në Prishtinë dhe ndava përvojën time, njerëzit treguan empati të mirëfilltë dhe i kuptuan dhimbjet e refugjatëve dhe simpatia juaj mund të jetë shërim për refugjatët, kjo do të thotë shumë për ne” – ka thënë Omid.

Lyudmila Makey është gazetarja e parë ukrainase që kishte arritur në Kosovë më 17 prill 2022, në kuadër të programit ‘Gazetarët në Rezidencë në Kosovë’, i cili ka mirëpritur gazetarët nga Ukraina, pasi që janë larguar nga atje për shkak të luftës.