Edhe PZAP-ja refuzon kërkesën e PSD-së për ndryshimin e llogos

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar kërkesën e Partisë Socialdemokrate (PSD) për ndryshimin e llogos së partisë.

Sipas një vendimi të datës 28 tetor thuhet se kërkesa është refuzuar për shkak të mos përshtatshmërisë së legjislacionit në fuqi me statutin politik të PSD-së.

“Me 22 korrik 2020 PSD ka dërguar statutin e partisë i cili përmban përshkrimin e logos së vjetër, si dhe procedurat për ndryshimin e statutit dhe sipas kësaj vetëm kuvendi i partisë mund të ndryshojë statutin”, thuhet në vendimin e PZAP-së.

Sipas PZAP-së, për tu ndryshuar llogo e partisë, duhet të ndryshohet edhe statuti politik, ndërsa sipas tyre llogon që e ka dorëzuar PSD-ja ‘përmban një slogan që e bën më kompleks procesin e aprovimit nga ana e KQZ-së’.

Ndërsa për ndryshimin e Statutit, Kuvendi i Partisë është i vetmi organi kompetent për të aprovuar ndryshimet e Statutit.

Sipas PZAP-së, në rastin e PSD-së, ka qenë Këshilli Drejtues që ka aprovuar, e jo Kuvendi i Partisë, siç e kërkon Statuti.

“Paneli vlerëson se nga shkresat e lëndës, subjekti politik PSD nuk i ka ndjekur procedurat e parapara ligjore dhe se të njëjtat nuk i ka harmonizuar me statutin e tyre politik, të cilat përcaktohen me nenin 7 të Statutit të Partisë.

Në mbledhjen e datës 21 tetor, KQZ-ja refuzoi kërkesën e PSD-së për ndryshim të llogos.

Sipas Zyrës Ligjore të KQZ-së, arsyeja e refuzimit është për shkak se ndryshimi i llogos ka rënë ndesh me statutin e partisë në fjalë.

“Duket shumë e thjeshtë ndërrimi i llogos, por kur kemi hyrë në statusin e partisë në fjalë, e kemi pa që nuk e kanë respektu dhe kemi vendosë me refuzu”, u tha nga Zyra Ligjore gjatë mbledhjes.

KQZ vendos për fushatën zgjedhore në Mitrovicën e Veriut, ia refuzon logon PSD-së