KQZ vendos për fushatën zgjedhore në Mitrovicën e Veriut, ia refuzon logon PSD-së

Në mbledhjen e sotme të KQZ-së është vendosur që fushata për zgjedhjet për kryetar në Mitrovicën Veriore, të mbahet nga 12 deri më 27 nëntor.

Kurse për fushatën në Podujevë do të diskohet në mbledhjen e rradhës.

Gjithashtu u vendos që stafit jopermanent të KQZ-së për mbarvajtjen e zgjedhjeve  në Podujevë t’u vazhdohet kontrata, ndërsa për në Mitrovicë të Veriut të rekrutohen aq sa ka nevojë.

Kurse sa i përket buxhetit, është planifikuar 193 mijë euro për të dy komunat, ndërsa  gjithashtu është i paraparë edhe për raundin e balotazhit.

KQZ-ja po ashtu në mbledhjen e sotme ka refuzuar kërkesën e Partisë Socialdemokrate për ndryshimin e llogos së partisë.

Sipas Zyrës Ligjore të KQZ-së, arsyeja e refuzimit është për shkak se ndryshimi i llogos ka rënë ndesh me statutin e partisë në fjalë.

“Duket shumë e thjeshtë ndërrimi i llogos, por kur kemi hyrë në statusin e partisë në fjalë, e kemi pa që nuk e kanë respektu dhe kemi vendosë me refuzu”, thanë nga Zyra Ligjore gjatë mbledhjes.

Sipas tyre, është njoftuar PSD-ja që duhet një organ tjetër i partisë të marrë një vendim të tillë.

Gjatë kësaj mbledhje, gjithashtu KQZ-ja votoi pro propozimit, që të publikohen Raportet financiare të partive politike, që janë ende të pa audituara. Këto Raporte do të publikohen me shënimin që janë të pa audituara.

Tutje, në këtë mbledhje të KQZ-së, partia politike ‘Jenelikci Turk Partisi (YTHF) nuk arriti të regjistrohej në KQZ, pasi nuk arriti 2/3 e votave.