Ilustrim - Foto: Policia e Kosovës

E pagoi rrymën me 500 monedha 2 euroshe që dyshohet se ishin të falsifikuara

Me 500 monedha 2 euroshe që dyshohet se ishin të falsifikuara, një qytetar ishte nisur për të paguar faturën e shpenzimeve të energjisë elektrike në KEDS.

Sipas Policisë, një zyrtare e KEDS-it ka informuar që një klient kishte kryer pagesë me këto monedha.

Pas numërimit kanë dalë që 500 prej tyre kanë qenë 2 euroshe të falsifikuara.

Policët hetues të stacionit në Shtërpcë, menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë identifikuar personin G.I (M/K) i moshës 48 vjeçar, i cili është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtërpcë dhe pas intervistimit nga policët hetues, me vendim të prokurorit kujdesatar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është liruar për procedura tjera hetimore, ndërsa monedhat e metalta janë konfiskuar” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Në tregun e Kosovës është vërejtur një shtim i madh i 2 eurove false, sidomos gjatë muajve të fundit.

Më 29 nëntor, autoritetet në Kosovë arrestuan gjashtë persona të cilët dyshohen për prodhim dhe futje në treg të parave të falsifikuara dhe kanë sekuestruar një vlerë të madhe të monedhave false.

Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, të arrestuar janë tre shtetas të Kosovës dhe tre të Maqedonisë së Veriut.

Prokuroria kishte njoftuar që paratë të jenë prodhuar “në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit”. Në këtë operacion të policisë të autorizuar nga Prokuroria Speciale, janë sekuestruar thasë me monedha të 2 eurove, e të cilat kapin vlerën e 85 mijë eurove.

 

Sekuestrohen thasë me monedha 2 euroshe false, arrestohen gjashtë persona