Flamuri i Kosovës - Foto: Rtv21

E konfirmon nr. 2 i diplomacisë ganeze: Gana e ka tërhequr njohjen e Kosovës

Qeveria ganeze ka vendosur ta tërheqë njohjen e shtetit të Kosovës.

Çnjohjen e ka bërë të ditur numri 2 i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ganës.

“Qeveria e Ganës ka vendosur të mos e njohë më Kosovën si shtet të pavarur”, ka deklaruar për AFP-në zëvendësministri i Punëve të Jashtme i vendit afrikan, Charles Owiredu, duke shtuar se për këtë vendim është njoftuar Serbia përmes një letre zyrtare.

“Vendimi i qeverisë ganeze të asaj kohe do të jetë inspiruar nga kërkimi i paqes dhe harmonisë”, thuhet në letrën të cilën e ka parë AFP.

Gana ka vendosur t’i bjerë prapë vendimit të saj të vitit 2012, duke konsideruar se ai ishte “i parakohshëm” dhe se përbënte “shkelje” të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sot gjatë ditës, Ministria e Jashtme e Kosovës e ka përgënjeshtruar lajmin për tërheqjen e njohjes nga Gana, duke theksuar se disa medie po përhapin lajme të rreme lidhur me këtë çështje.

“Republika e Kosovës është njohur nga 116 vende anëtare të OKB-së përfshirë këtu edhe Republikën e Ganës. Ministria e Punëve të Jashtme është në komunikim të rregullt me ambasadat e Ganës në qendra të ndryshme të botës, dhe asnjëra prej tyre nuk kane asnjë informacion ne lidhje me pretendimin e ministrit serb”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Ministria e Behgjet Pacollit u mban ‘ligjëratë’ gazetarëve rreth tërheqjes së njohjeve

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, një ditë më parë ka thënë se Gana e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai shtoi se Gana është shteti i 16-të që e bën këtë.