Ministria e Behgjet Pacollit u mban 'ligjëratë' gazetarëve rreth tërheqjes së njohjeve

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, thotë se nuk ka asgjë të vërtetë në lidhje me pretendimet e ministrit serb Ivica Daçiq për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gana, si dhe kanë kërkuar “më shumë kujdes dhe profesionalizëm” në raportime nga gazetarët në Kosovë.

“Republika e Kosovës është njohur nga 116 vende anëtare të OKB-së përfshirë këtu edhe Republikën e Ganës. Ministria e Punëve të Jashtme është në komunikim të rregullt me ambasadat e Ganës në qendra të ndryshme të botës, dhe asnjëra prej tyre nuk kane asnjë informacion ne lidhje me pretendimin e ministrit serb”, thuhet në reagim.

MPJ thekson se edhe disa media në Kosovë po transmetojnë lajme të rreme.

“Është e habitshme se si disa media, edhe në Kosovë, transmetojnë të pavërteta të servuara nga institucionet e Serbisë dhe përmes ‘fake news’ domosdo i shkaktojnë dëm Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, vijon njoftimi.

Ky dikaster ndër të tjerash ka kërkuar nga gazetarët në Kosovë të mos bien pre e propagandës serbe.

“Gazetarët kanë kapacitet për të kuptuar seriozitetin e shtetit dhe betejat diplomatike me të cilat ballafaqohet Republika e Kosovës, andaj në këtë pikë duhet të tregohen shumë më të kujdesshëm dhe më profesionistë në mënyrë që të mos bien pre e propagandës serbe e cila nga Beogradi zyrtar prezantohet si lajm”, thuhet në komunikatë.

“Metodat e mirënjohura dhe të bazuara në shembuj të tjerë që po i përdorë Daçiq me lobuesit e tij me histori të dyshim kriminale, janë në proporcion të zhdrejtë me politiken paqësore rajonale, paqen dhe harmoninë në mes shteteve”, vijon reagimi.

Ministria e Punëve të Jashtme mes tjerash, ka ftuar të gjitha mediat në Kosovë dhe jashtë saj që të verifikojnë më shumë se njëherë secilin lajm për Kosovën i cili prodhohet në Serbi.

“Duke e ditur mirëfilli se pas krimeve kundër njerzimit, përpjekjeve për të kryer gjenocidin dhe për ta shëndrruar Kosovën në tokë të djegur, Beogradit zyrtar tashti qëllim esencial ka mohimin e shtetësisë së Kosovës”, përfundon reagimi i MPJ-së.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, një ditë më parë ka thënë se Gana e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai shtoi se Gana është shteti i 16-të që e bën këtë.

Në një deklaratë për televizionin serb ‘Prva’, shefi i diplomacisë serbe tha se notën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës e ka marrë gjatë vikendit.

Shteti afrikan i Ganës e kishte njohur pavarësinë e Kosovës në janar të vitit 2012.