Daçiq: Gana e ka tërhequr njohjen e Kosovës

Ministri I Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha sot se Gana e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Ai shtoi se Gana është shteti i 16-të që e bën këtë.

Në një deklaratë për televizionin serb ‘Prva’, shefi i diplomacisë serbe tha se notën për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës e ka marrë gjatë vikendit.

“Ky është shteti më i madh që e ka tërhequr njohjen e Kosovës, i ka rreth 30 milionë banorë, tri herë më shumë se Serbia. Gana ka qenë partner tradicional i Jugosllavisë”, tha Daçiq.

Shteti afrikan i Ganës e kishte njohur pavarësinë e Kosovës në janar të vitit 2012.