E kaluara e ish-mësuesit të dyshuar për pedofili

Ish-mësuesi nga Prizreni F.K., i cili dyshohet për pedofili edhe më herët është përballur me ligjin, madje ka qenë edhe i dënuar me vendim të plotëfuqishëm nga Gjykata, për veprë penale, kanosje.

Mësuesi 76 vjeçar ishte bërë pjesë e hulumtimit të një emisioni në ‘ABC News’ nga Shqipëria nën dyshimin për pedofili.

Sipas zëdhënësit të Policisë, Vesel Gashi i dyshuari në të kaluarën ka pasur të iniciuara tri raste për veprat prishje të rendit dhe qetësisë publike, kanosje dhe dhunë në familje.

Sa i përket veprës penale të kanosjes, nga gjykata është bërë e ditur se F.K., është dënuar.

“Në evidencën penale, ndaj të pandehurit F.K., është i evidentuar një rast me vendim të plotfuqishëm, për veprën penale kanosja”, ka thënë zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Przirenit, Marcel Lekaj.

Lekaj ka shtuar se i dyshuari është dënuar me 3 muaj burgim, dënim që nuk do të ekzekutohet në kohëzgjatje prej një viti nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale.

Ky aktgjykim sipas gjykatës është bërë i plotfuqishëm në vitin 2016.

Ndërkaq, ndaj ish-mësuesit F.K., Gjykata e Prizrenit sot ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e hetimeve ku thuhet se F. K., në periudhën e pacaktuar të vitit 2022, ofron dhe shfaq përmbajtje pornografike duke i dërguar personave nën moshën 16 vjeçare.

Sipas dosjes, i dyshuari pos adresës së tij hap dhe adresë të rrejshme me emrin Adriatik Krasniqi dhe shpërndan fotografi pornografike në mesin e të cilave fotografi të zhveshura të tij si dhe të personave të tjerë meshkuj e femra të bëra nga kamerat gjatë komunikimeve në rrjetet sociale.

Prokuroria më tej pretendon se i dyshuari ka dërguar edhe shkrime me përmbajtje erotike duke i kërkuar foto të trupit viktimave të mitura duke i propozuar marrëdhënie seksuale e duke i udhëzuar me fjalët: “Je e re do të mësohesh pastaj vetë kërkon”, të gjitha këto sipas prokurorisë me personat e mitur nën 16 vjeç.

Në anën tjetër, i dyshuari ka sqaruar se në rrjetin social “Facebook” qëllimisht i kishte ardhur një adresë.

“Adresa false që më ka ardhur e asaj zojës, kush e ka bë ka qenë e tjetër kujt. Pse bash te unë erdhi tek unë? Unë nuk jam kryerës i kësaj vepre si dhe adresa është e gabuar në emrin tim dhe dyshoj se kjo ka qenë e qëllimshme dhe rasti ka qenë i porositur”, tha i dyshuari në Gjykatë.

Kurse në një deklarim për KALLXO.com avokati Kushtrim Muqaj e ka konsideruar si të orkestruar rastin ndaj klientit të tij, ish-mësuesit.

Dy ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prizren kishte njoftuar se kishte autorizuar policinë më saktësisht hetuesit rajonal të Prizrenit që të mbledhin dhe grumbullojnë të dhënat dhe informacionet lidhur me rastin e profesorit me inicialet F.K.

 

Dosja – Çfarë deklaroi në gjykatë ish mësuesi nga Prizreni i dyshuar për pedofili