Avokati e quan të orkestruar rastin ku ish-mësuesi nga Prizreni dyshohet për pedofili

Avokati Kushtrim Muqaj e ka konsideruar si të orkestruar rastin ndaj klientit të tij, ish-mësuesit F.K., i cili po dyshohet për pedofili.

Ish-mësuesi 76 vjeçar ishte bërë pjesë e hulumtimit të një emisioni në ABC News nga Shqipëria nën dyshimin për pedofilizëm.

Në një përgjigje për KALLXO.com Muqaj ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti. Sipas versionit të të akuzuarit ngjarja kishte rrjedhur pasi të dyshuarit fillimisht i ishte dërguar një kërkesë në rrjetin social Facebook.

“Fillimisht të mbrojturit tim i është dërguar kërkesa në ‘Facebook’ ku pasi i ka shënuar personi në fjalë i mbrojturi im ka kërkuar që përmes fotove të bëhet e ditur se a është person i rritur”, deklaroi avokati Muqaj.

Muqaj ka argumentuar se pas lëshimit të kamerës në atë moment F.K., ka vërejtur se bashkëbiseduesja ishte duke pirë cigare.

“Pra pasi ai ka kërkuar ta lëshojë kamerën e ka parë që bëhet fjalë për person madhor dhe jo të mitur, kamerën e ka lëshuar në një moment dhe pastaj e ka ndalë”, shtoi avokati.

Avokati ka shtuar se i dyshuari më tej kishte vazhduar të bisedonte, por vetëm nën dijeninë se po flet me person madhor.

“F.K., ka vazhduar komunikimin mirëpo vetëm me arsyetim se komunikuesja në bazë të kamerës – videos ishte e moshës madhore”, ka theksuar avokati.

Avokati Kushtrim Muqaj për KALLXO.com ka shtuar se pas publikimit të ngjarjes në televizion, klienti i tij është vetëdorëzuar në polici.

“Klienti im vetë është paraqitur në Polici pasi ai kishte qenë në një rast vdekje në vendlindje – Istog”, ka thënë avokati.

Muqaj ka përfunduar duke thënë se i mbrojturi i tij në të kaluarën asnjëherë nuk ka kryer ndonjë veprim ndaj nxënësve dhe askujt tjetër ku ka mohuar të ketë qenë i akuzuar për këto vepra.

Prokuroria në Prizren ditë më parë ka njoftuar se ka filluar hetimet për rastin e profesorit që ishte bërë pjesë e hulumtimit të një emisioni në televizionin ‘ABC News’ nga Shqipëria nën dyshimin për pedofilizëm.

Fillimisht sipas emisionit, gazetarët kishin hapur një profil të rremë në rrjetin social Facebook, me të dhëna të rreme të një vajze kinse është 15-vjeçare dhe nga aty kishin rënë në kontakt me profesorin nga Prizreni.

Profesori F. K., sipas pamjeve të publikuara në emision i kishte kërkuar vajzës takim dhe favore seksuale ndërsa përmes mesazheve zbulohet edhe biseda që është bërë për disa kohë përmes rrjeteve sociale.

Me anë të fotografive të ndryshme, profesori dyshohet se kishte kërkuar favor seksual të miturës duke përdorur fjalë të ndryshme.

KALLXO.com sot ka raportuar se Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për profesorin F. K., i cili dyshohet për pedofili në Prizren. F. K., dje është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe është në ndalim prej 48 orësh.

Dy ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prizren kishte njoftuar  se kishte autorizuar policinë më saktësisht hetuesit rajonal të Prizrenit që të mbledhin dhe grumbullojnë të dhënat dhe informacionet lidhur me rastin e profesorit me inicialet F.K.