Nis hetimi dhe grumbullimi i provave për profesorin nga Prizreni
Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar gjatë ditës se ka autorizuar policinë më saktësisht hetuesit rajonal të Prizrenit që të mbledhin dhe grumbullojnë të dhënat dhe informacionet lidhur me rastin e profesorit me inicialet F. K.
Ky i fundit ishte bërë pjesë e hulumtimit të një emisioni në televizionin ABC News nga Shqipëria nën dyshimin për pedofilizëm.
Emisioni “Piranjat” mbrëmë ka publikuar një video disa minutëshe se si kishin arritur që të faktonin se një i moshuar u kërkonte favore seksuale vajzave të mitura.
Fillimisht gjithmonë sipas emisionit, gazetarët kishin hapur një profil të rremë në rrjetin social Facebook, me të dhëna të rreme të një vajze kinse është 15 vjeçare dhe nga aty kishin rënë në kontakt me profesorin nga Prizreni.
Profesori F. K., sipas pamjeve të publikuara në emisionin e mbrëmshëm i kishte kërkuar vajzës takim dhe favore seksuale ndërsa përmes mesazheve zbulohet edhe biseda që është bërë për disa kohë përmes rrjeteve sociale.
Me anë të fotografive të ndryshme, profesori dyshohet se kishte kërkuar favor seksual të miturës duke përdorur fjalë të ndryshme.
Prokuroria në Prizren ka thënë se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të zbardhur rastin, konform dispozitave ligjore.