Dosja - Çfarë deklaroi në gjykatë ish mësuesi nga Prizreni i dyshuar për pedofili

Gjykata e Prizrenit ka njoftuar se ka caktuar një muaj paraburgim ndaj ish-mësuesit F. K., të dyshuar për pedofili.

I dyshuari F. K. në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij deklaroi se në rrjetin social “Facebook” qëllimisht i kishte ardhur një adresë.

“Adresa fallc që më ka ardhur e asaj zojës kush e ka bë ka qenë e tjetër kujt. Pse bash te unë erdhi tek unë? Unë nuk jam kryerës i kësaj vepre si dhe adresa është e gabuar në emrin tim dhe dyshoj se kjo ka qenë e qëllimshme dhe rasti ka qenë i porositur”, tha i dyshuari në Gjykatë.

“Pa e njohur njeriun pa e ditë me fillu me një njeri të rritur me fol”, tha i dyshuari.

Ish-mësuesi 76 vjeçar ishte bërë pjesë e hulumtimit të një emisioni në ‘ABC News’ nga Shqipëria nën dyshimin për pedofili.

Gjykatësi Gani Kastrati ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarit e cila do të llogaritet nga koha e arrestimit 28 prill 2022 dhe do të vlejë deri më 27 maj 2022.

Gjatë ditës së sotme është mbajtur seanca për caktimin e paraburgimit ku Prokuroria ka theksuar se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore për caktimin kësaj mase.

KALLXO.com ka siguruar aktvendimin e Prokurorisë ku thuhet se F. K., në periudhën e pacaktuar të vitit 2022, ofron dhe shfaq përmbajtje pornografike duke i dërguar personave nën moshën 16 vjeçare.

Sipas vendimit, i dyshuari pos adresës së tij hap dhe adresë të rrejshme me emrin Adriatik Krasniqi dhe shpërndan fotografi pornografike në mesin e të cilave fotografi të zhveshura të tij si dhe të personave të tjerë meshkuj e femra të bëra nga kamerat gjatë komunikimeve në rrjetet sociale.

Prokuroria më tej pretendon se i dyshuari ka dërguar edhe shkrime me përmbajtje erotike duke i kërkuar foto të trupit viktimave të mitura duke i propozuar marrëdhënie seksuale e duke i udhëzuar me fjalët: “Je e re do të mësohesh pastaj vetë kërkon”, të gjitha këto sipas prokurorisë me personat e mitur nën 16 vjeç.

Ndërkaq, në një deklarim për KALLXO.com avokati Kushtrim Muqaj e ka konsideruar si të orkestruar rastin ndaj klientit të tij, ish-mësuesit.

 

Avokati e quan të orkestruar rastin ku ish-mësuesi nga Prizreni dyshohet për pedofili

 

Muqaj ka dhënë detaje se si ka ndodhur rasti. Sipas versionit të të akuzuarit ngjarja kishte rrjedhur pasi të dyshuarit fillimisht i ishte dërguar një kërkesë në rrjetin social Facebook.

Avokati ka shtuar se i dyshuari më tej kishte vazhduar të bisedonte, por vetëm nën dijeninë se po flet me person madhor.

Dy ditë më parë, Prokuroria Themelore në Prizren kishte njoftuar se kishte autorizuar policinë më saktësisht hetuesit rajonal të Prizrenit që të mbledhin dhe grumbullojnë të dhënat dhe informacionet lidhur me rastin e profesorit me inicialet F.K.

Nis hetimi dhe grumbullimi i provave për profesorin nga Prizreni