E gjuan çantën me marihuanë nga dritarja e shtëpisë dhe arratiset nga Policia

Një person ka arritur që t`u ikte policëve në Prishtinë pasi e kishin ndaluar për një kontroll. Sipas njoftimit të Policisë në raportin 24 orësh të datës 18.05.2024, i dyshuari u kishte thënë policëve se po futet në shtëpi për ta marrë letërnjoftimin, por më pas nga dritarja e ballkonit ishte vërejtur duke e hedhur një çantë në të cilën më pas janë gjetur 7 paketime që dyshohet se janë substancë narkotike të llojit marihuanë.

I njëjti pasi ka hedhur çantën sipas Policisë ka arritur që të largohet në drejtim të panjohur

“Njësiti policor gjatë patrullimit ka hasur të dyshuarin mashkull kosovar, të cilin e kanë ndal për legjitimim dhe kontroll. I njëjti ka kërkuar nga zyrtarët policorë që të hynë në shtëpi dhe të marr letërnjoftimin pasi që policia e kishte ndalur para shtëpisë së tij”.

“Në momentin që ka hyrë brenda në shtëpi, i njëjti ka hedhur nga dritarja e ballkonit të shtëpisë në pjesën e pasme një çantë në të cilën kishte: një peshore të vogël digjitale dhe 7 paketime me bari të dyshuar për narkotik të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 2004.4 gram (2 kilogram e 4.4 gram). I dyshuari është larguar në drejtim të panjohur. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”- thuhet në raportin e policisë.