Dyshimet për punësime familjare dhe politike në konkursin për laborant në Vushtrri

Më 15 tetor 2020, Komuna e Vushtrrisë kishte shpallur konkurs për pranimin e dy teknik-laborantëve në Qendrën Kryesore të Mjeksisë Familjare.

KALLXO.com ka gjetur se dy kandidatët të cilët janë përzgjedhur nga ky konkurs, njëri është djali i laborantit kryesor në laboratorin e Vushtrrisë, ndërsa tjetra është vajza e doktorit dhe asamblistit të LDK-së në Vushtrri.

Me 29 dhjetor 2020, Komuna e Vushtrrisë ka publikuar vendimin me emrat e kandidatëve të zgjedhur për këtë konkurs.
Nga gjithsej 32 kandidatë të cilët ishin përfshirë në listën e ngusht nga ky konkurs, Anila Bregaj dhe Ardi Behrami janë përzgjedhur si kandidatët më të suksesshëm.
Nga pikët totale, Anila Bregaj ka fituar gjithsej 84.75 pikë, duke u renditur si kandidatja me më së shumti pikë nga ky konkurs, ndërsa menjëherë pas saj, Ardi Behrami, me gjithsej 84.6 pikë.

KALLXO.com ka gjetur se kandidatja më e suksesshme nga ky konkurs është vajza e asamblistit të Lidhjes Demoraktike të Kosovës në Vushtrri, Agim Bregaj, ndërsa kandidati i dytë, Ardi Behrami është djali i laborantit kryesor në Qendrën Kyresore të Mjeksisë Familjare në Vushtrri, Sinan Behramit.
Pas publikimit të vendimit, KALLXO.com ka kontaktuar laborantin, Sinan Behrami, për ta pyetur rreth punësimit të djalit të tij në vendin e tij të punës, por i njëjti nuk ka pranuar të flas.

“Për këtë problem kontaktoni komisonin që e ka shpallë konkursin dhe që i kanë pranu…”, ka thënë shkurt Behrami.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me asamblistin nga radhët e LDK-së në Vushtrri, Agim Bregaj, rreth punësimit të vajzës së tij si kandidatja më e suksesshme nga ky konkurs.

Bregaj e ka pohuar se vajza e tij është pranuar në këtë pozitë, por i njëjti ka thënë se ajo ka fituar vendin e punës me meritat e saj dhe në bazë të rregullave, dhe se ai nuk ka pas asnjë ndikim në punësimin e vajzës.

“Po është punësu. Kurrë në jetë nuk kam ndiku, as nuk do të ndikoj. Është pranu me të gjitha rregullat ligjore, përmes konkursit”, tha ai.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Vushtrri, Sylejman Meholli, përgjegjësinë për këtë konkurs edhe pse është në kuadër të drejtorisë që ai udhëheq ia ka lënë komisionit vlerësues dhe kryetarit të komunës.

“Konkursin e shpall kryetari i komunës, komisionin e themelon kryetari i komunës, konkursi procedohet sipas zyrës së personelit, i drejtoheni zyrës së personelit. Unë thash ku duhet të drejtoheni sepse unë nuk i pres këto, se kush kë e ka çka, e ka sepse nuk mund t`i njoh të gjitha raportet familjare”, shtoi Meholli.

Drejtori i Shendetesise në Vushtrri. Sylejman Meholli dhe laboranti kryesor, Sinan Behrami

Për konkursin në fjalë, KALLXO.com ka provuar të marrë një prononcim përmes emailit nga ana e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, të cilin e kemi pyetur nëse është në dijeni të këtyre punësimeve, por i njëjti deri në publikimin e këtij shkrimi nuk ka kthyer përgjigje.