Dy shtetas shqiptarë të akuzuar për rrëmbim, dhunë dhe shkatërrim prone ekstradohen nga Gjermania e Anglia - VIDEO

Policia e Shtetit në Shqipëri ka njoftuar se dy persona, shtetas shqiptarë të dënuar/akuzuar për rrëmbim, dhunë dhe shkatërrim prone janë ekstraduar nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, në Shqipëri.

Sipas njoftimit, nga Gjermania, është ekstraduar Abedin Bacja, 34 vjeç, lindur në Fier, i dënuar me 5 vjet burgim, nga Gjykata e Durrësit, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

“Në vitin 2013, shtetasi Abedin Bacja dhe 2 shtetas të tjerë, kanë marrë me forcë, në automjet, shtetasin A. Xh.. Më pas kanë telefonuar babanë e tij, të cilin e kanë kanosur për jetën e shtetasit A. Xh., nëse nuk iu jepte shumën 7500 euro”- thuhet në njoftim.

Ndërsa, nga Mbretëria e Bashkuar, të shtetasit R. M., 43 vjeç, lindur në Mat. Gjykata e Matit, në vitin 2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Dyshohet se në vitin 2021, shtetasi R. M. ka goditur në kokë dhe në trup, me send të fortë (levë hekuri), kunatin e tij, dhe i ka dëmtuar automjetin.

Tutje thuhet se Policia e Shtetit do të vijojë intensivisht, punën dhe operacionet e përbashkëta, me partnerët në të gjithë botën, për të lokalizuar, kapur dhe finalizuar ekstradimet e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.