Dy pacientëve u jepet terapi për COVID-19 ende pa e bërë testin - DOKUMENT

Mungesa e testeve, apo ndryshimi i mënyrës së trajtimit të rasteve të dyshuara me COVID-19, ka ndryshuar edhe sjelljen e mjekëve të Klinikës Infektive karshi atyre që i drejtohen për t`u testuar.

Një qytetar ka raportuar në KALLXO.com se ditën e djeshme i ishte drejtuar Klinikës Infektive për t`iu nënshtuar testit për COVID-19, mirëpo ai përveç neglizhencës nga ana e stafit mjekësor në këtë Klinikë, ishte ballafaqur edhe me një situatë deri më tani e paparë gjatë kësaj pandemie.

Ai ishte kontrolluar nga një mjek në Klinikë, i cili i kishte dhënë terapi të njëjtë sikurse për pacientet pozitiv me COVID-19 që trajtohen në Klinikë, pa iu nënshtuar fare testit.

Testi PR-RCP, i cili u bëhet pacientëve që kanë simptoma të coronavirusit ku përmes këtij testimi tregohet rezultati final nëse personi është i infektuar apo jo nuk i është bërë dy pacientëve.

Personat në fjalë kanë shkruar në adresën e KALLXO.com dhe kanë treguar se i është lëshuar raporti mjekësorë se janë të infektuar me COVID-19 ende pa e bërë testin.

Një person i cili kishte dyshuar se është i infektuar nga coronavirusi mbrëmë kishte telefonuar në numrin zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, ku e kanë sugjeruar të shkojë për kontrollë në Klinikën Infektive, ku po mjekohen personat të cilët janë të infektuar.

Por kur personi në fjalë shkoi të bëjë kontrollë u neglizhua nga një pjesë e stafit dhe në atë moment ishin në kohë pauze.

Me insistim të personit në fjalë njëri nga mjekët ia ka kontrolluar temperaturën, ia ka matur pulsin dhe ia ka shkruar raportin mjekësorë njësoj si për një person të infektuar më COVID-19, edhe pse testi i coronavirusit nuk i është bërë, madje ai thotë se mjeku i cili e ka kontrolluar i ka thënë të qëndrojë në vetizolim për 14 ditë.

Përveç neglizhencës që i është bërë për testim, ai thotë se disa nga mjekët e kanë neglizhuar edhe për kontrollë mjekësore.

Qytetari ka treguar për KALLXO.com se një test i tillë nuk i është bërë dy pacientëve të cilët kishin simptoma të coronavirusit, por megjithatë mjekët e Klinikës Infektive në raportin mjekësorë ua kanë dhënë terapinë e njëjtë e cila përdoret për personat e rezultuar pozitiv me COVID-19.

KALLXO.com ka telefonuar infektologun Valbon Krasniqi, por i njëjti nuk ka dashur të komentoj në gjë të tillë. Krasniqi ka thënë se nuk mund të flas për punën që nuk e ka bërë ai por e kanë bërë kolegët e tij.

“Më vjen keq por nuk mundem me komentu për këtë punë, thirre nesër drejtoreshën (e Infektivës) me i pa ato raporte. Unë nuk i komentoj pa i pa, për shkak se kolegët tanë që i shkruajnë raportet i kanë kriteret e qarta dhe tash nuk e kam të drejtën (me i komentu). Mua më vjen keq por nuk mundem me komentu pa parë diçka”, është shprehur ai për KALLXO.com

KALLXO.com ka provuar sot gjatë ditës të flas edhe me drejtoreshën e Klinikës Infektive, Lindita Ajazaj, por e njëjta nuk ishte e qasshme.

Sipas IKShPK-së një person shpallet i infektuar vetëm pasi që i bëhet testi për coronavirus dhe rezulton pozitiv, ndërsa i shëruar nga pandemia shpallet vetëm pasi që në dy testet tjera rezulton negativ.

 

Reagimi i Klinikës Infektive pas raportimit të KALLXO.com

Dje KALLXO.com ka publikuar një artikull për terapin e lëshuar nga Klinika Infektive për një person i cili kishte simptoma të COVID-19 por që nuk i është bërë testi për coronavirus, përkundër kësaj mjeku kujdestar i ka lëshuar terapi të njejt sikurse për personat të cilët rezultojnë pozitiv pas testit për COVID-19.

Klinika Infektive dhe Qendra Klinike Universitare e Kosoves e kanë kundërshtuar një gjë të tillë.

Në reagim thuhet se është shkrim tentencioz dhe i pakonfirmuar.

Ky është reagimi i plotë i Klinikës Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës:

Në lidhje me shkrimin “Dy pacientëve u jepet terapi për COVID-19 ende pa e bërë testin” të publikuar nga kallxo.com, Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, sqaron se përkundër mbingarkesës me raste, ku janë të shtrirë mbi 100 pacientë dhe vendimit të Komitetit për menaxhim të situatës me Covid-19 të ShSKUK-së, që mostrat-strishot për Covid-19 të merren vetëm për pacientët e shtrirë, ka pranuar dhe ka ofruar shërbimin shëndetësore për pacientët ambulantor, edhe pse nuk kishin udhëzim paraprak.

Klinika Infektive njofton se mjeku specialist kujdestar ka kontrolluar pacientët dhe në mungesë të strishove për testim, nuk ka shkruar diagnozën Covid-19 dhe terapia e përshkruar nuk ka qenë për Covid-19, por me antibiotikë, konform protokoleve me qëllim të ndikimit pozitiv tek pacientët.
Shkrimet e pakinfirmuara klinika i konsideron tendencioze dhe mohim i punës vetmouese dhe stafit të Klinikës Infektive.

KALLXO.com para se të publikoj këtë artikull ka siguruar dokumentin i cili tashmë është publik, si dhe gjatë tërë ditës është munduar të kontaktoj me Drejtoreshën e Klinikës Infektive, Lindita Ajazi por e njejta nuk ishte e qasshme.