Foto: N1/ Ivan Hrstić

Droni i prodhimit sovjetik u rrëzua në Zagreb nga drejtimi i Rumanisë

Objekti, që u përplas në një zonë të gjelbër në Zagreb të enjten rreth orës 23, është një dron ushtarak i prodhimit sovjetik, i cili ka ardhur nga Rumania përmes Hungarisë në hapësirën e Kroacisë, njoftoi Qeveria kroate të premten.

Droni u rrëzua në afërsi të konviktit të studentëve “Stjepan Radiq”, në pjesën jugore të Zagrebit. Nuk ka të lënduar, ndërsa disa makina janë dëmtuar.

Sipas të dhënave të deritashme, droni ka hyrë në hapësirën ajrore të Kroacisë, nga lindja në perëndim, pra nga hapësira ajrore hungareze me shpejtësi 700 kilometra në orë në lartësinë 1,300, metra thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kroacisë.

“Kam biseduar me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili më informoi se droni kishte hyrë në hapësirën ajrore hungareze prej Rumanisë”, tha kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, i cili po merr pjesë në një takim të liderëve të BE-së në Versajë të Francës.

“Sipas asaj që kemi tani si informacion, është një dron i prodhimit rus, nuk dihet nëse ka qenë në pronësi të ushtrisë ruse apo ukrainase. Dihet që ka ardhur në Kroaci nga Hungaria, dhe në Hungari nga Rumania. Dihet që ka fluturuar disa minuta mbi Kroaci dhe u rrëzua në Zagreb”, u tha Plankoviq gazetarëve. Ai, po ashtu, tha se autoritetet në Kroaci e kanë kontaktuar Ukrainën nëse ajo ka informata se si ka ardhur ky dron deri në Zagreb.

Autoritetet kroate thanë se janë duke e hetuar këtë rast.

Dëshmitarët e cituar nga mediat kroate thanë se fillimisht dëgjuan një shpërthim të madh që tronditi tokën, më pas një erë të keqe./REL