Prokurorja Drita Hajdari dhe autori i emisionit "Drejtësia në Kosovë Kreshnik Gashi, Foto: KALLXO.com

Drita Hajdari komenton deklaratën e Aleksandër Lumezit që rasti “Pronto” nuk ka prova

 

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë”, prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari e cila ishte prokurore në rastin e njohur për publikun si rasti “Pronto”, në një intervistë tregoi rrjedhën e këtij rasti që nga fillimi.

Prokurorja Hajdari komentoi edhe deklaratën e dhënë nga Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi për KALLXO.com se ka të akuzuar në rastin “Pronto” por pa prova.

“Një Kryeprokuror i Shtetit nuk paska të drejtë me dhanë vlerësimin në një rast, nuk paska të drejtë me i ftu prokurorët dhe mu informu për rastin e gjithkush tjetër ka. Po dalin disa kuazi-analista e gjysmë- juristë që e analizojnë aktakuzën pa asnjë të drejtë dhe me njohje shumë të vogla të kësaj fushe”, tha ajo.

Lumezi: U kam thënë prokurorëve që te ‘Pronto’ ka të akuzuar pa prova

“Aleksandër Lumezi e ka shpreh mendimin e vet por ai kurrë nuk më ka thënë mos e dërgo aktakuzën apo pse e ke dërgu. Ai ka të drejtë që të shprehë opinionin e tij si jurist dhe si Kryeprokuror”, tha ajo.

Ajo shton se aktakuza në fillim ishte pranuar ashtu siç ka qenë e më pas ishte kritikuar.

“Kjo aktakuzë është nënshtru kontrollit në fillim edhe nga kryetari i trupit gjykues edhe nga Gjykata e Apelit sepse aktakuza në fazën e hershme ishte e sulmuar nga avokatët mbrojtës edhe për cilësimin juridik edhe për provat edhe pranueshmërinë e provave. Kjo aktakuzë në fillim e kaloj këtë filtër edhe hini në shqyrtim gjyqësor deri në aktgjykimin lirues kurrë askush se ka përmend këtë që po përmendet tash. Pse atëherë në fillim nuk kanë thënë që nuk ka dëshmitarë unë në fjalën hyrëse kam thënë që s’ka dëshmitarë dhe e kam sqaruar pse”, tha tutje prokurorja Hajdari.

“Tjetër, kjo dyfytyrësi e këtyre personave shkon aq lartë sa që bëjnë analizën e cilësisë juridike që nuk ka lidhje me drejtësi dhe me veprën penale me të cilën akuzohen këta të akuzuar”, tha ajo.

Gjykata e Prishtinës i ka liruar nga akuza të gjithë të akuzuarit në rastin e njohur si ‘Pronto’.

Gjykata e Prishtinës më 3 janar të këtij viti shpalli aktgjykimin me të cilin liroi Adem Grabovcin, Besim Beqajn, Zenun Pajazitin dhe 8 të akuzuarit e tjerë në rastin e shumëpërfolur “Pronto”: Ilhami Gashin, Xhavit Dakajn, Fatmir Shurdhajn, Sadat Gashin, Ismet Nezirajn, Rexhë Abazin, Nijazi Kryeziun dhe Arbenita Pajazitin.

Gjykata kishte gjetur se nuk ka prova se të akuzuarit gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011, kanë komunikuar me zyrtarë të lartë për caktimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve në pozitën e kryeshefave ekzekutivë në bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publike ‘’Trainkos’’, ‘’Infrakos’’, ‘’Hidro-Drini’’, ‘’Radoniqi-Dukagjini’’.

Sipas akgjykimit të shpallur në fillim të këtij viti, Gjykata ka konstatuar se nuk ka prova se të akuzuarit kanë kryer veprën penale – shkelja e statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Grabovci, Beqaj, Pajaziti dhe të tjerët akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini”, etj.

Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet e rastit “Pronto”, gjykimi  kishte filluar me 1 tetor 2018, ndërsa me 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm.

Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore, pas 455 ditësh, ose 1 viti e 2 muaj e 29 ditë, pas ngritjes së aktakuzës.