Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori i Klinikës Torakale flet për rastin që ndodhi me pacientin që dyshohet se u hodh nga ndërtesa

Një pacient dyshohet se është hedhur nga dritarja e Klinikës Torakale në QKUK mëngjesin e sotëm.

Ai nuk arriti tu mbijetoj lëndimeve të marra dhe ka vdekur ndërsa organet e rendit kanë nisur zbardhjen e rastit që ndodhi rreth orës 9 e 30 sot.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorin e Klinikës Torakale në QKUK, Nazmi Kolgeci në lidhje me këtë rast.

Ai u shpreh se nga pacienti nuk ka pasur ndonjë ankesë në lidhje me ndonjë gjë por që Kolgeci shtoi se vuante nga disa sëmundje.

“Nuk kemi pasur asnjë ndonjë ankesë nga pacienti, as ankesa gojore as me shkrim. Ai ka pasur disa probleme shëndetësore. Nuk kemi pasur asnjë ankesë as nga familjarët gjithashtu nuk kemi vërejtur asnjë shprehi te ai”- tha Kolgeci për KALLXO.com.

Tutje drejtuesi i Klinikës torakale shtoi edhe se pacienti mbrëmë kishte kërkuar të lirohej nga spitali.

“Ai është pranuar më 28 dhjetor ka pasur një problem të rëndë shëndetësor. Mbrëmë pacienti ka kërkuar me shku në shtëpi, mjeku kujdestar e ka liruar. Në ora 8 e 10 ka ardhur në klinikë, është bërë vizita, menjëherë pas vizitës ka ndodhur rasti”- shtoi Kolgeci.

Drejtori Kolgeci tha se kërkon që rasti të zbardhet në tërësi dhe se pas ngjarjes ai vet ishte i pranishëm në klinikën që drejton për tu marrë me rastin e rëndë që u regjistrua sot.

QKUK gjate ditës së sotme njoftoi në lidhje me rastin ndërsa shtoi se edhe pas intervenimit të stafit mjekësorë pacienti nuk arriti që të mbijetoj.