Gjykimi i Nijazi Kryeziut - Foto: KALLXO.com
Drejt fundit gjykimi i Nijazi Kryeziut, i akuzuar për lidhje të kontratës pa tender
Në gjykimin e ish-drejtorit të Urbanizmit të Komunës së Prizrenit, Nijazi Kryeziu, sot është dhënë fjala përfundimtare nga palët.
Kryeziu nga Prokuroria po akuzohet se ka lidhur kontratë pa tender në kohën sa punonte në Komunë, e dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate vlerësohet të jetë 7 mijë e 200 euro.
Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, në fjalën e tij përfundimtare para trupit gjykues kërkoi nga Gjykata që i akuzuari Nijazi Kryeziu të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
Sipas prokurorit Sefa, i akuzuari Kryeziu por edhe drejtorët e tjerë të Komunës së Prizrenit kanë lidhur kontrata duke anashkaluar Zyrën e Prokurimit Publik, andaj dhe kjo përbënte shkelje të procedurës dhe Ligjit të prokurimit publik.
“Me veprimet e të akuzuarit Nijazi Kryeziu janë formuar elementet e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, ngase obligimi ligjor ka qenë që çështjen ta drejtojë në Zyrën e Prokurimit Publik dhe te kjo Zyrë të hapë një tender publik”, tha prokurori Mehdi Sefa.
Tutje ai shtoi se i akuzuari por edhe drejtorët e tjerë për të cilët janë aktgjykimet dënuese të plotfuqishme, vazhdimisht janë thirrur se një gjë të tillë praktika e ka lejur, mirëpo prokurori Sefa tha se mosnjohja e ligjit nuk e liron askënd nga përgjegjësia andaj kërkoi që i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet nga Gjykata.
Ndërkaq, përfaqësuesi i Komunës, Blerim Mazreku, mbështeti pretendimet e Prokurorisë kurse lidhur me kërkesën pasurore juridike, i njëjti tha se do ta iniciojë në procedurën kontestimore në rast se i akuzuari shpallet fajtor.
Kurse, në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Kadri Mjekiqi deklaroi se gjatë administrimit të provave në shqyrtimin gjyqësor është provuar vetëm fakti se i akuzuari ka ndërmarrë veprimet në kuadër të detyrave të tij zyrtare në raport me praktikën e gjetur për lidhjen e kontratave me televizionet lokale.
“Ndaj klientit tim, asnjëherë nuk është provuar se ka ekzistuar dashja për të kryer veprën penale për të cilën akuzohet dhe me asnjë provë të vetme nuk është provuar se i pandehuri me veprimet e tij ka përfituar dobi pasurore për vete ose për tjetrin”, deklaroi avokati Mjekiqi.
Mbrojtësi, në fund, gjithashtu, i propozoi Gjykatës që klienti i tij në mungesë të provave të lirohet nga akuza.
Shpallja e aktgjykimit ndaj të njëjtit do të bëhet më 17 shtator 2021 në Gjykatën e Prizrenit.
Aktakuza e datës 2 gusht 2019 të akuzuarin Nijazi Kryeziu po e ngarkon për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Nijazi Kryeziu po akuzohet për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015, kur ishte drejtor i Urbanizmit në Prizren nën udhëheqjen e ish-kryetarit Ramadan Muja.
Prokuroria e akuzon Kryeziun se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me “TV Opinion” për emitimin e spoteve reklamuese për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.
Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.
Raportet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i gjeni në këtë link.