Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Dosja e Prokurorisë: Zyrtarët korrektues të Gjilanit ia mundësuan të dyshuarit përdorimin e telefonit në burg

Dy zyrtarë korrektues të Burgut të Gjilanit janë në mesin e 7 të arrestuarve dje, në mesin e të cilëve është edhe avokati Besnik Berisha.

Ata po akuzohen për tri vepra penale.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë të bërë në Gjykatën e Ferizajt për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të dyshuarve.

Sipas kësaj kërkese, Jeton Vuniqi dhe Fidan Zubaku, zyrtarë korrektues në Burgun e Gjilanit, dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Jeton Vuniqi dhe Fidan Zubaku sipas Prokurorisë ia kishin mundësuar të pandehurit Egzon Salihut që të përdorte telefonin disa herë brenda javës për komunikim me të afërmit e tij për të marrë informacione lidhur me zhvillimin e procedurës ndaj tij, ndonëse kjo ishte në kundërshtim me rregulloren e Burgut të Gjilanit.

I pandehuri Vuniqi dyshohet se në mënyrë direkte ka pranuar dhuratë në para në vlerë 5 mijë euro për vete nga babai i të pandehurit Egzon Salihut, që të mos veprojë sipas detyrave të tij zyrtare, duke ia mundësuar përdorimin e telefonit atij gjersa ishte në paraburgim.

KALLXO.com ka publikuar detaje nga dosja e Prokurorisë rreth akuzave që rëndojnë ndaj avokatit Besnik Berisha.