Gjykimi ndaj të akuzuarve për kultivimin e kanabisit - FOTO Jetlira Buzhala - KALLXO - 12.06.2023

Dosja e Prokurorisë Speciale ndaj vëllezërve të akuzuar për kultivimin e kanabisit në Gjakovë

Bashkim Shpejtim Isufi, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për kultivimin e kanabisit në afërsi të shtëpisë së tyre, janë sjellë sot para gjykatës në Prishtinë.

Sipas dosjes së prokurorisë në këtë aktivitet kriminal kanë marrë pjesë edhe të akuzuarit tjerë, Mërgimtar Isufi, Fisnik Mehmeti, Agon Zejnullahu dhe Ukë Quni.

Të lartpërmendurit ngarkohen me veprat penale “pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, blerja posedimi e shpërndarja e narkotikëve, dhe prodhimi dhe përpunimi i narkotikëve” – vepra të inkriminuara në Kodin Penal.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri Mërgimtar Isufi, narkotikët e përgatitur i shiste në lokalin e tij në Gjakovë.

Gjatë bastisjes së shtëpive dhe objekteve përcjellëse tek Bashkim Isufi në dhjetor të vitit 2021 ishin gjetur substance narkotike me sasi mbi 8 kilogram, 17 bimë kanabis sativa, peshore digjitale, 130 fara kanabis sativa, kurse tek i pandehuri tjetër Shpejtim Isufi ishin gjetur substanca narkotike prej 1 kilogrami, 5 palë gërshërë, peshore digjitale dhe fara të dyshuara të kanabis sativa.

Sasia dhe përmbajtja  e substancës së gjetur u konstatua edhe sot në seancën e sotme.

Specialisti i lartë në Agjencionin e Forenzikës, Sami Mavriqi u dëgjua sot në cilësinë e dëshmitarit ekspert.

Ai për trupin gjykues të përbërë nga Valon Kurtaj (kryetar) dhe Valbonë Selimaj e Arben Hoti (anëtarë), deklaroi konstatimin se pesha e përgjithshme neto e  substancës ka qenë  8 mijë e 300 gram e llojit kanabis – marihuanë.

“Kjo sasi është pa përfshirë paketimin dhe mbështjellësit e substancës”- deklaroi Mavriqi sot në shqyrtimin gjyqësor.

Ai deklaroi se substancës mund t’i humb pesha për shkak të tharjes pas një qëndrimi për një kohë të gjatë.

“Por është vetëm mendim i imi”- shtoi ai.

Pasi u pyet nga prokurori special Haki Gecaj nëse mund të ndodhë një gjë e tillë.

Përveç ekspertit, në seancën e sotme u dëgjua dhe dëshmitari tjetër, identiteti i të cilit do të mbrohet në këtë artikull me vendim të trupit gjykues.

Ky dëshmitar qëndroi prapa deklaratës së dhënë në polici në maj të vitit 2022. Por, shtoi se ditën e deklarimit ka qenë pa gjumë, por se atë deklaratë e ka dhënë me vullnet të lirë.

Dëshmitari deklaroi se është konsumues i drogës për 25 vite, dhe se e njeh të pandehurin Ukë Qunin ngase sipas tij bashkë me këtë të fundit kanë konsumuar të njëjtën.

I pandehuri Bashkim Isufi ngarkohet nga prokuroria edhe për armëmbajtje pa leje.

Mbrojtësi i të pandehurit Shpejtim Isufi, avokat Isa Saliu paraqiti kundërshtimet ndaj provave materiale të prezantuara nga prokuroria të cilat kishin të bëjnë me klientin e tij, por propozimet e tij u kundërshtuan nga kryesuesi Kurtaj, me arsyetimin se pranueshmëria e provave është çështje e konsumuar dhe vendosur edhe me vendim të Gjykatës së Apelit.

Të pandehurit Bashkim e Shpejtim Isufi, si dhe Ukë Quni  gjenden në paraburgim që nga data 24.12.2021, kurse Mërgimtar Isufi dhe Fisnik Mehmeti janë nën masën e arrestit shtëpiak.