Dosja e prokurorisë për hetimet ndaj drejtorit të pronës në Komunën e Pejës

Një aksion i Prokurorisë në Pejë ka dërguar në arrestim e 7 zyrtarëve të komunës së Pejës, përfshirë këtu edhe drejtorin e Drejtorisë së Pronës në Pejë, Arianit Krasniqi, dhe zyrtarin e kësaj drejtorie, Osman Kollqaku.

Krasniqi e Kollqaku po hetohen për veprën penale – Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, e që Prokuroria ka kërkuar edhe paraburgimin ndaj tyre.

Prokuroria dyshon se ata me veprimet e tyre kanë dërguar deri të regjistrimi i një pronë në kundërshtim me ligjin.

Dosja e Prokurorisë thotë se të pandehurit kanë hartuar një konkluzion dhe kërkesë për ndarje dhe regjistrim të pronës së këmbyer, edhe pse e kanë ditur se ky regjistrim nuk mund të bëhet pa u bërë paraprakisht vlerësimi i pronave nga Ministria e Financave.

Sipas Prokurorisë ata me këto veprime i kanë mundësuar personave G.SH dhe H.K të regjistrohen si pronar të pronave, e më pas të njëjtit kanë marrë leje për ndërtim.

Mbrojtësit e të pandehurve Arianit Krasniqi e Osman Kollqaku sot në seancë dëgjimore e vlerësuan si të pabazuar kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit.

Sipas mbrojtësve, klientët e tyre nuk kanë kryer asnjë vepër penale, dhe se asnjë prej kushteve që është thirrur Prokuroria nuk qëndron.

Kjo ndër tjera pasi sipas tyre të gjitha shkresat për këtë dosje janë siguruar nga prokuroria, andaj nuk ekziston mundësia për fshehjen apo falsifikimin e tyre.

Ata po ashtu e kundërshtuan faktin se më lënien në liri të klientëve të tyre ekziston mundësia që ata të ndikojnë në dëshmitar, pasi sipas mbrojtjes prokuroria nuk ka evidentuar cilët dëshmitar kanë për t’u proceduar për këtë çështje.

Në anën tjetër prokurorja e rastit, Lumturije Vuçetaj, tha se personat e identifikuar në dispozitiv të aktvendimit për hetime do të procedohen si dëshmitar.

Avokati Besim Ahmetaj që mbron Arianit Krasniqin, e konsideroi të kundërligjshme mbajtjen në ndalim të klientit të tij, pasi që sipas tij ka kaluar afati brenda të cilit i mbrojturi i tij është duhet të dalë para gjykatës.

Ahmetaj tha se klienti i tij është sjellë në polici rreth orës 13 e 30 minuta, ndërsa Prokuroria e ka lëshuar vendimin për ndalim në ora 18:00.

Ndërsa sipas prokurores Vuçetaj, Krasniqi është ndaluar në orën 18:00 dhe se kërkesa e Prokurorisë është brenda afatit ligjor.

Vendimi për kërkesën e prokurorisë lidhur me masën e paraburgimit do të merret brenda 48 orëve nga momenti që të pandehurit janë sjellë para gjykatës.