Dosja e Prokurorisë, kryetari i Klinës e formoi komisionin i cili e punësoi vajzën e tij

Gjatë ditës KALLXO.com ka raportuar se ndaj kryetarit të Komunës së Klinës është ngritur aktakuzë për veprën penale – konflikt interesi.

Aktakuza ka të bëjë me punësimin e vajzës së tij në QKMF, si mjeke e praksës së përgjithshme.

KALLXO.com ka siguruar aktakuzën kundër të parit të Komunës së Klinës.

Në aktakuzë Prokuroria pretendon se kryetari Zenun Elezaj ka formuar komisionin për zhvillimin e procedurave për themelimin e marrëdhënies së punës duke u bazuar në konkursin e publikuar të datës 2 shkurt 2018.

Aktakuzë ndaj kryetarit të Klinës për punësimin e vajzës

Ky komision kishte përzgjedhur vajzën e kryetarit si më të suksesshmen, duke e punësuar të njëjtën si mjeke të praksës së përgjithshme në Qendrën e Mjekësisë Familjare “Nënë Tereza”, në Klinë.

Me ketë rast, Prokuroria e Pejës ka propozuar që kryetari i Klinës të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Në lidhje me këtë rast, i pari i Klinës në Prokurori ka deklaruar se në momentin kur ka kuptuar se vajza e tij ka aplikuar për mjeke në atë konkurs e ka përjashtuar veten nga vendimmarrja dhe procedurat administrative në këtë rast.