Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Dogana e Kosovës largon nga puna zyrtarin i cili po gjykohet për shkelje të kodit të etikës

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka marrë vendim për largimin nga puna të një zyrtari doganor.

Sipas një njoftimi, zyrtari doganor tashmë është duke u përballur me një proces gjyqësor e njëjti po dyshohet për shkelje të kodit të etikës.

“Dogana e Kosovës ka marr vendim për largim nga puna të zyrtarit doganor, ndaj të cilit është në vijim procesi gjyqësor penal në Gjykatën Themelore në Pejë. Dogana e Kosovës është mirënjohëse për Prokurorinë Themelore që është duke bërë ndjekjen dhe për faktin se kanë siguruar provat, te cilat ka administruar Dogana e Kosovës në procedurë administrative”, thuhet në njoftimin e Dogës së Kosovës.

Sipas këtij institucioni, provat e deritanishme tregojnë se zyrtari ka bërë shkelje serioze gjatë kryerjes së punës.

“Provat e administruara janë të qarta për të besuar se zyrtari doganor gjatë ushtrimit të detyrave të punës ka bërë shkelje serioze të kodit të etikës, e të cilat janë të pa pranueshme për sistemin e standardeve dhe vlerave që përfaqëson Dogana e Kosovës si institucion publik”, thuhet tutje në njoftim.

“Dogana e Kosovës është në shërbim të interesit publik dhe zyrtarët janë të trajnuar për të ushtruar detyrat e punës në mënyrë profesionale, duke pasur në konsideratë përgjegjësinë për të përmbushur misionin e Doganës së Kosovës, që i shërben mbrojtjes së qytetarëve, ekonomisë dhe përfaqësimit dinjitoz të autoritetit ligjor”, vijon njoftimi.

Në fund, Dogana e Kosovës ka ftuar të gjithë qytetarët që vërejnë parregullsi t’i raportojnë ato në numrin e telefonit 080050095.