Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Dogana e Kosovës jep sqarime për ndalesën në kufi të importit të dinarit

Banka Popullore e Serbisë ka njoftuar se autoritetet e Kosovës nuk kanë  lejuar hyrjen e dërgesës së dinarëve të dedikuar për pagesën e pagave, pensioneve, përfitimeve sociale dhe të hyrave tjera për serbët në territorin e Kosovës.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar Doganën e Kosovës, zëdhënësi i së cilës ka treguar se përfaqësues të palës serbe sot kanë pyetur në pikën doganore në Jarinjë, se nëse mund të importojnë para.

“Ne ua kemi sqaruar se pa pasur autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”- ka sqaruar Adriatik Stavileci në një përgjigje për KALLXO.com.

Megjithatë, Banka serbe thotë se dinarët në fjalë, do të shkonin në kasafortën që ajo ka në Leposaviq.

“Në përputhje me praktikën shumëvjeçare, një automjet NBS që transportonte dinarë erdhi sot në vendkalimin administrativ Jarinje, ku dërgesa e parave të gatshme ishte dashur të merrej nga automjeti i kompanisë Henderson, e cila është e licencuar për shërbime të parave të gatshme nga institucionet e Prishtinës. Mirëpo, automjeti NBS është kthyer nga vendkalimi pa asnjë shpjegim. Dinarët në fjalë ishin drejtuar për në kasafortën e thesarit të NBS në Leposaviq”- thuhet ne komunikatën e Bankës serbe.

“NBS dënon më ashpër incidentin e sotëm dhe kërkon anulimin e menjëhershëm të masave diskriminuese, të paligjshme dhe të paprecedentë të ndërmarra nga institucionet e përkohshme në Prishtinë, për të mundësuar transportin dhe shpërndarjen pa telashe të dinarëve dhe për të parandaluar kufizimin e kushteve për jetë të popullatës serbe në ‘Kosovë dhe Metohi’”- thuhet më tutje në njoftim.

Më 1 shkurt, në Kosovë ka hyrë në fuqi një rregullore e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë, duke e ndaluar kështu përdorimin e dinarit serb.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën deklaroi se Rregullorja e BQK-së, nuk e atakon askënd.

Ai tha se e kuptojnë që mënyra se si kjo çështje është komunikuar mund të ishte më e qartë dhe është zotuar që gjatë këtij muaji do të japin të gjitha informacionet dhe ndihmën e nevojshme që ky tranzicion të jetë sa më i lehtë i mundur.

Guvernatori Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se BQK nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare për pezullim të kësaj Rregulloreje.

Nuk ka kërkesë për pezullim, të paktën drejtuar BQK-së nuk ka, e as nuk ka diskutim për pezullim”- tha ai.

Ismaili, gjatë emisionit ka shpjeguar Rregulloren e re për operacionet me para të gatshme.

Sipas tij, kjo Rregullore nuk e ndalon transferimin e parave nga asnjë shtet por se ato duhet të jenë në euro.

Ai tha se qytetarët serbë në Kosovë mund të pranojnë para në valutën euro nga Serbia në llogaritë e tyre bankare.

“Kjo Rregullore e ka rregullu ‘cash’-in dhe kush ka të drejtë të importojë. Rregullorja nuk e ndalon transferin e mjeteve. Nëse institucionet e Serbisë dëshirojnë me transferu mjete në Kosovë janë të lejuara në një llogari bankare pa kufizim. Çdo qytetar i Kosovës, duke përfshirë serbët, mundet me pranu para në euro nga Serbia dhe e gjithë bota. Ata kanë llogari bankare sepse pranojnë pensione dhe ndihma nga Kosova. Në të njëjtën llogari mund të marrin edhe ndihmat nga Serbia”- tha guvernatori i BQK-së.

Guvernatori shpjegoi se qytetarët mund të mbajnë ‘cash’ si kursime apo edhe për nevoja të tjera të tyre, por ato nuk mund të përdoren si mjet pagese.

Ai bëri të ditur se “mbi 200 milionë euro (në dinarë serbë) kanë hyrë në Kosovë nga Serbia në vitin 2023”.

Por Rregullorja e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Europian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.

DASH-i thotë se ky vendim ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”- thekson DASH.

Kurse KE thotë se duhet të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marrë parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marrë parasysh se nuk ka alternativa të tjera”- ka deklaruar zëdhënësi Eric Mamer.

Të gjitha institucionet financiare që do të importojnë para në Kosovë nga 1 shkurti do të duhet të kenë një leje speciale dhe autorizim nga BQK.