Screenshot nga Interpol nga vajza e zhdukur, Vanja Gjorçevska

Detaje nga Prokuroria për vrasjen e 14-vjeçares në Shkup: Si u krye vrasja dhe cili dyshohet të jetë motivi?

Lupço Palevski – Pallço është organizator dhe kryerës i dy vrasjeve, të 14 vjeçares Vanja Gjorçevska nga Shkupi dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezhovski nga Velesi. Sipas ministrit të Punëve të Brendhsme, Oliver Spasovski, atij janë duke iu ndjekur gjurmët dhe se ai është arratisur bashkë me avokatin e tij në Beograd dhe më pas në Bullgari. Për Palevskin, do të shpallet fletarrestim ndërkombëtar, njofton Portalb.mk.

“Do të bëj gjithçka që ky monstrum sapo të hyjë në tokën tonë të nxirret para drejtësisë”, deklaroi Spasovski në konferencën e përbashkët për shtyp me prokurorin e Prokurorisë Themelore Publike të Shkupit, Gavrill Buvevski.

Në burgun hetues në Shkup për momentin janë edhe tre të dyshuar, Vllatko Keshishov, Velibor Manevski dhe Bore Videvski. Sipas informatave të publikuar anë konferencën për shtyp, të tre i kanë kumtuar të gjitha detajet për atë çfarë ka ndodhur në dy javët e kaluara, ndërkaq dy prej tyre, veç e veç kanë qenë dëshmitarë në vrasjet. Rasti është në parahetim dhe për ato arsye atyre u është caktuar masë paraburgimi prej 48 orësh, ndërkaq kur të dorëzohen paraqitjet dhe zyrtarisht do të hapet hetim, paraburgimi mund t’u vazhdohet.

Babai i 14-vjeçares Vanja, Aleksandar, është i dyshuari i pestë, por tani për tani për atë nuk ka prova të mjaftueshme për atë se në çfarë mase ka qenë i përfshirë në tërë rastin, në lidhje me vrasjen e vajzës së tij. Prej asaj që e kanë thënë tre të arrestuarit, babai i vajzës i ka dhënë informatë të akuzuarit të parë Palevski, për kohën dhe vendin se kur de; vakza e tok çër më shkollë dhe se mu atë ditë, më 27 nëntor, do të shkojë në shkollë vetë, pa motrën e saj më të vogël, e cila e ka humbur orën e parë në “Pestalloci”.

Si është kryer vrasja?

Nxënësja e klasës së nëntë, Vanja, sipas deklaratës së Spasovskit, ka qenë e rrëmbyer në hyrjen e shkollës ku jeton, rreth orës 7.30 të mëngjesit më 27 nëntor, gjegjësisht të hënën e kaluar.

Ajo është marrë me një automjet “Citroen”, në pronësi të të moshuarit të zhdukur nga Velesi, Pançe Zhezhovski, i cili më pas është gjetur i vdekur. Bashkë me Citroenin, ka lëvizur edhe një automjet “Reno Kangoo”. Pronarët e këtij automjeti, fillimisht janë arrestuar, por më pas janë lënë të lirë, pasi që kanë dhënë deklaratë se automjetin e kanë dhënë për shfrytëzim në parti. Përndryshe, bëhet fjalë për partinë “Treta”, e cila lidhet me katër të dyshuarit e parë dhe me të cilën udhëhiqet Palevski.

Automjeti “Citroen” është djegur në fshatin e Shkupit, Brazda, në të njëjtën ditë kur është rrëmbyer Vanja, më 27 nëntor. Vajza, vetëm dy orë e gjysmë pasi që është rrëmbyer, sipas hetimit, është vrarë me pistoletë dhe më pas është varrosur, gjithashtu në afërsi të fshatit Brazda. Arma ende nuk është gjetur.

Dje, në afërsi të Velesit, është gjetur i varrosur edhe trupi i berberit, Pançe Zhezhovski. Edhe ai është vrarë në të njëjtën ditë kur është paraqitur si i zhdukur, disa ditë para vrasjes së vajzës.

Të dyshuarit të cilët janë në paraburgim e kanë dërguar policinë në lokacionin e saktë ku janë varrosur trupat.

“Për të gjitha këto janë siguruar prova materiale dhe nga kjo nuk ka ikje”, tha Bubevski.

Cili ka qenë motivi i vrasjeve?

Motivi për dy vrasjet e kryerja, siç njoftoi Spasovski dhe Bubevski, janë interesat financiare, gjegjësisht njëri prej personave në marrëveshje dhe me njohuri të anëtarit të familjes (babai i vajzës së vrarë) e kanë organizuar kryerjen e veprës penale me qëllim që të zhvasin para prej nënës, prej çka të gjithë të përfshirët do të kishin dobi materiale.

Pançe Zhezhovski nga Velesi, nuk ka qenë i lidhur drejtpërdrejtë me vajzën, por edhe vrasja e tij, sipas organeve hetuese është për shkak të mospastrim të borxheve me një të dyshuar. Ai është vrarë, ndërkaq më pas i është marrë vetura “Citroen” dhe me të njëjtën është rrëmbyer Vanja, disa ditë më vonë. Spasovski tha se ky automjet fare nuk ka lëvizur në periudhën prej 22 deri më 27 nëntor dhe për herë të par është parë në kamerat e “Safe City” në Shkup mu në ditën kur ka humbur vajza.

“Në hapësirën e Prokurorisë Themelore Publike janë marrë në pyetje tre persona. Prej të treve kemi pranim për angazhimin e plotë se kush çfarë vepra ka ndërmarrë dhe për çfarë ka qenë i obliguar. Nga tërë kjo mund të definohet se të njëjtët kanë kryer rrëmbim lidhur me interes financiar. Ata kanë kryer edhe dy vepra penale – vrasje”, tha Bubevski.

Ajo që mbetet e paqartë se pse vajza është vrarë vetëm dy orë e gjysmë pas humbjes, ndërkaq në ndërkohë nuk janë kërkuar para nga kthimin e saj. Për këtë, përgjigje previze nuk kishte as prokurori Bubevski.

“Tregimet e tyre janë se është krijuar panik për shkak se opinioni ka qenë tërësisht i angazhuar në gjetjen e vajzës dhe njëri ka vendosur që paratë t’i kërkojë më vonë, pasi që do ta likuidojnë vajzën. Versioni i tyre është ky”, tha Bubevski.

Ende mbetet i paqartë roli i vajzës në tërë rastin, për çka nuk është caktuar masa e paraburgimit, por prokurori Bubevski paralajmëroi se edhe për atë do të kërkohet paraburgim.

Është e qartë se nëna nuk ka kurrfarë lidhje me rastin e tmerrshëm.

Dy prej të dyshuarve, sipas Bubevskit, kanë theksuar se informatat në lidhje me lëvizjen e fëmijës, gjegjësisht se kur do të dalë nga shtëpia ka dalë prej babait të saj dhe kjo është pika e vetme për çka tani për tani organet hetuese po mundohen të mësojnë më shumë detaje.

Si motiv për tërë këtë, theksohet një banesë e shitur nga ana e nënës së vajzës.

Për rastin, sipas Spasovskit, janë marrë telefona celularë, kompjuterë, automjete dhe mjete tjera, janë kryer shumë biseda me familjarë dhe të njohur ,miq, ndërkaq qindra zyrtarë policorë kanë punuar në këtë rast.

“Bëhet fjalë për rast incident i izoluar nga banditë, nga monstrumë të cilët duan të tërheqin dobi financiare”, tha Spasovski.

Prokuroria Publike njoftoi dje se në periferi të Shkupit u gjet trupi i pajetë i të miturës Vanja Gjorçevska e cila ishte raportuar si e zhdukur më 27.11.2023, kurse në periferi të Velesit trupi i pajetë i Pançe Zhezhovskit, 74 vjeçar, nga Velesi, i cili më datë 24.11.2023 u raportua si i zhdukur. Sipas njoftimit, në lidhje me të dyja rastet dyshohet përfshirja tre personave për të cilët kërkohet masa e paraburgimit, njëri ndodhet jashtë vendit.

Zhezovski ishte parukier dhe kryetar i Unionit të Veteranëve të Maqedonisë së Bashkuar. Së fundmi ai doli në një konferencë për shtyp, në mbështetje të pensionistëve për kërkesat e tyre për rritje lineare të pensioneve. Ai ishte mjaft aktiv në rrjetet sociale dhe shpesh publikonte pikëpamjet e tij për aktualitetin në vend.

I dyshuari kryesor për dy vrasjet, është Lj.P nga Shkupi me nofkën “Pallço.” Aktualisht ai ndodhet në arrati. Bëhet fjalë për një person kontrovers të njohur për publikun e gjerë në Shkup dhe Maqedoni, i cili merrej me biznesin e ndërtimit të banesave, dhe për disa kohë ishte aktiv në disa parti politike.

Dy nga personat e arrestuar fillimisht u konstatuan se nuk kishin lidhje me ngjarjen dhe u lanë të lirë. Ndërkohë, paraburgimi kërkohet për tre persona të tjerë, të cilët ndodhen para gjykatësit në procedurë hetimore dhe së shpejti do të dërgohen në burgun hetimor në Shutkë.

Dy vrasjet, siç njoftojnë nga MPB-ja, kanë qenë të motivuara nga i njëjti motiv, “interes financiar”.

Vetura e Zhezhovskit nga Velesi është gjetur në fshatin Brazdë, e djegur në të njëjtën ditë kur u zhduk 14-vjeçarja Vanja. Jozyrtarisht, vajza është rrëmbyer me të njejtën veturë, tip “Citroen”. Trupi i saj është gjetur sot në fshatin Orman, ku më herët është gjetur edhe “Citroen” i djegur.

Ministria e Brendshme dhe Prokuroria Publike sot dolën me kumtesë për dy ngjarjet tragjike, e cila nuk është plotësisht qartë sa i përket motiveve dhe krimi po trajtohet si “interes financiar”.

Nga masat operative të ndërmarra siç kumtuan MPB dhe PP, është konstatuar se e mitura Vanja është futur në makinë në hyrje të vendbanimit të saj, dhe nga informacionet e siguruara gjatë hetimit u konstatua se ajo u vra të njëjtën ditë (27 nëntor) rreth orës 10:00.

Menjëherë pas raportimit se janë zhdukur dy personat, u kryen kontrolle në shtëpi dhe ambiente të tjera në rajonet e SPB Shkupit, SPB Velesit dhe SPB Shtipit, ku u gjetën dhe u konfiskuan telefona celularë, kompjuterë, një veturë etj., u kryen biseda me familjarët, miqtë dhe personat që mund të kishin ndonjë informacion, dhe në veprimet hetimore çdo ditë ishin të përfshirë disa qindra zyrtarë policorë që punonin ekskluzivisht në këto raste.

Hetuesit nga Prokuroria Themelore Publike e Shkupit dhe nga Prokuroria Themelore Publike e Velesit kryen inspektime në të dyja vendet ku u gjetën trupat e personave në fjalë, urdhëruan ekspertizën e të gjitha dëshmive të mbledhura si dhe autopsinë e trupave të viktimave.

Pas zhdukjes së të dy personave, u mblodhën të gjitha regjistrimet e mundshme nga kamerat e instaluara në afërsi të vendngjarjeve, u bë lokalizimi me ndihmën e stacioneve bazë të sinjaleve telefonike, u krye analiza dhe ekspertiza e pajisjeve elektronike, ekspertiza e gjurmëve materiale dhe dëshmive, përfshirë edhe makinën e djegur. U morën dëshmitarë persona që mund të kishin njohuri të caktuara për ngjarjen dhe në bazë të të gjitha provave të mbledhura, ngjarja u zbardh, u caktuan të dyshuarit kryesorë dhe motivet e tyre.

Pas kompletimit të dëshmive dhe ekspertizave të urdhëruara, prokuroria ndaj të gjithë të dyshuarve do të nisë procedurën e përshtatshme.

Vanja Gjorçevska u shpall e humbur më 27 nëntor nga nëna e saj, dhe u regjistrua në regjistrin e personave të zhdukur me fotografi portret dhe përshkrim të saj në faqen e MPB-së. Më 29 nëntor Interpoli shpalli fletë-arrest ndërkombëtar. Të premten mbrëma u arrestuan pesë persona dhe u konfiskua një automjeti që besohet të kenë lidhje me zhdukjen e Vanjës, por policia nuk dha më shumë detaje. Më pas, Prokuroria Publike njoftoi se është caktuar paraburgim prej 48 orës për tre persona./Portalb.mk