Dështon seanca ndaj të akuzuarve për shmangien e tatimeve në vlerë mbi 1.2 milionë euro

Nuhi Hoxha dhe Shahe Tahirukaj, të akuzuar për shpëlarje parash, keqpërdorim të autorizimeve ekonomike dhe shmangie nga tatimi nuk ishin prezent në seancën e paracaktuar të mbahej sot.

Prokurori special i rastit, Atdhe Dema kishte njoftuar gjykatën paraprakisht se nuk mund të jetë prezent në seancën e sotme për shkak se në të njëjtën kohë është i angazhuar në një rast tjetër gjyqësor kompleks.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj theksoi se gjykata paraprakisht ka njoftuar edhe avokatin mbrojtës të të akuzuarit Nuhi Hoxha, Emrush Kastrati, se seanca e paracaktuar për sot nuk do të mbahet.

Ndërkaq avokati mbrojtës i të akuzuarës Shahe Tahirukaj, Betim Shala ishte prezent por nuk prezantoi në shqyrtim gjyqësor për faktet dhe rrethanat për të cilat gjykata i ka konstatuar.

Kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj deklaroi se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e këtij shqyrtimi gjyqësor.

Seanca e radhës lidhur me këtë çështje pritet të mbahet më 27 korrik 2023.

Në shqyrtimin gjyqësor të mbajtur më 31 janar, të akuzuarit ishin ballafaquar me dëshminë e ekspertit financiar Ramadan Ferizi, i cili kishte konstatuar se shmangia tatimore në këtë rast arrin vlerën e mbi 1.2 milionë eurove.

Eksperti financiar Ramadan Ferizi, nga i cili ishte kërkuar të plotësohej ekspertiza, deklaroi se sipas ekspertizës dhe llogaritjeve të tij, të bazuara në raportet e ATK-së, gjithsej i akuzuari Nuhi Hoxha për të tëra bizneset që ka qenë i autorizuar, iu kishte shmangur tatimit në shumën 794,993.71 eurove.

“Gjithsej shmangia tatimore sipas ekspertizës duke përfshirë tërë bizneset që Nuhi Hoxha ka qenë i autorizuar është 794,993.71 euro”- kishte deklaruar eksperti Ferizi.

Ndërsa sa i përket të akuzuarës Shahe Tahirukaj, eksperti kishte deklaruar se shuma gjithsej e shmangies nga tatimi për bizneset në pronësi të saj, është mbi 410 mijë euro.

“Sipas llogarive të mia në ekspertizë, sipas raportit të ATK-së, sipas aktakuzës shmangia totale nga tatimi është rreth 419,555.51 euro”- kishte deklaruar eksperti financiar para trupit gjykues.

Sipas ekspertit Ferizi, edhe ky raport vetëm se e mbështet ekspertizën fillestare dhe vërteton aktakuzën, meqë llogaritjet janë të përafërta me ato shuma që Prokuroria i pretendon në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nuhi Hoxha prokuroria po i vë në barrë se që nga viti 2006 deri në 2014 në cilësinë e pronarit të Firmës “D.SH. BIMI SHPED” dhe i autorizuar në firmat “Edi” me pronar Edmond Curri, “Rrufeja” me pronare Shahe Tahirukaj, “FISI” me pronar Fisnik Kajtazi dhe “A&E” me pronar Mensur Peja, duke ditur se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal, pasi që veç kishte kryer veprat penale keqpërdorim i autorizimeve ekonomike dhe shmangie nga tatimi, së pari i ka deponuar në xhirollogaritë e bizneseve të lartshënuara.

Sipas aktakuzës, ato para në shumën prej 2,734,708.00 euro i ka deponuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës, në Qipro, Kinë, Bangladesh, Dubai, Maqedoni të Veriut dhe vende tjera me qëllim që të fsheh apo maskojë burimin, vendin, dispozicionin e tyre. Me këtë Nuhi Hoxha akuzohet për shpëlarje të parave.

I njëjti sipas prokurorisë akuzohet edhe se në periudhën kohore 2006-2014 ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente me përmbajtje të rreme dhe ka keqpërdorur autorizimet që ia kanë dhënë bizneset “FISI”, “Rrufeja” dhe “A&E”, me veprimet e tij i ka mundësuar bizneseve tjera përfitim të kundërligjshëm. Përfitimi për veten apo për të tjerët është 674,312,79 euro, ku edhe ka dëmtuar buxhetin e Kosovës sipas Prokurorisë.

Dosja e Prokurorisë tutje thekson se ka lëshuar fatura fiktive, bilance të rreme, dokumente me përmbajte të rreme edhe e akuzuara Shahe Tahirukaj.

Nga këto fatura fiktive sipas Prokurorisë e njëjta ka fituar vlerën prej 3 për qind për secilën nga to. Në dosje thuhet se me këtë ajo ka fituar vlerën prej 18,241,21 euro.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.