Seanca ndaj Sllaxhan Trajkoviq, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në zonën e Vushtrrisë - FOTO: Donjeta Rexhbogaj - 04.08.2023

Dështon seanca ndaj Sllaxhan Trajkoviq, i akuzuar për krime lufte në rajonin e Vushtrrisë

 Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar ndaj Sllaxhan Trajkoviq, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në zonën e Vushtrrisë.

Pas hapjes së shqyrtimit gjyqësor, gjyqtarja Suzana Çerkini mori aktvendim që të mbyll pjesërisht për publikun seancën e sotme.

Kjo, sipas kërkesës së prokurorisë speciale konform dispozitave ligjore për mbyllje të pjesshme.

Gjyqtarja e rastit Suzana Çerkini ka konfirmuar për KALLXO.com, se avokati mbrojtës i të akuzuarit Trajkoviq, Dejan Vasiq ka kërkuar që të shtyhet seanca e sotme sepse i njëjti thekson se prokurorja e rastit, Florije Shamolli nuk i ka zbuluar në tërësi provat nga shkresat e lëndës.

Prokurorja e rastit pretendon se i ka zbuluar provat me të cilat disponon.

Gjykata ka marrë vendim që obligon prokuroren e rastit të zbulojë çfarëdo prove tjetër sipas dispozitave ligjore, nëse ka mbetur e pazbuluar siç ka pretenduar mbrojtësi i të akuzuarit Vasiq.

Shqyrtimi gjyqësor i ardhshëm lidhur më këtë çështje pritet të mbahet më 11 shtator 2023.

I pandehuri Trajkoviq dyshohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.

Po ashtu, ai dyshohet edhe për masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Duke shkelur kështu rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet shtesë.