Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, 30.05.2024. Foto: Antigonë Isufi/KALLXO.com

Dështon mbledhja e Komisionit për hetimin e punësimeve në MPJD, deputetët e LVV-së akuzohen për sabotim

Në mungesë të deputetëve, ka dështuar mbledhja e Komisionit hetimor parlamentar lidhur me nivelin e menaxhimit të marrëdhënies së punës të anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, në të cilën ishte planfikuar të votohej për angazhimin e ekspertëve.

Në mbledhje nuk erdhën deputetët nga Lëvizja Vetëvendosje. I vetmi që kishte ardhur nga LVV-ja ishte deputeti, Gazmend Gjyshinca, por edhe ai u largua kur e pa që nuk kanë ardhur bashkëpartiakët e tij.

Gjyshinca, në fakt u largua ende pa nisur mbledhja e cila vonoi për shkak të mungesës së kuorumit.

Por, përveç deputetëve nga GP i LVV-së: Fitore Pacolli, Arbëresha Kryeziu- Hyseni, Jeta Statovci e Haxhi Avdyli, të pranishëm në mbledhje nuk ishin as deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vlora Dumoshi dhe Erxhan Galushi nga Grupi Multietnik.

Deri në fund të mbledhjes qëndruan vetëm kryetarja e Komisionit nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj dhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës: Ariana Musliu-Shoshi dhe Hisen Berisha. Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës edhe pse u pa në sallë Rrezarta Krasniqi, ajo braktisi sallën në minutën e dytë të mbledhjes.

Deputetët e opozitës, përkatësisht PDK-ja dhe AAK-ja, akuzuan se anëtarët e Vetëvendosjes po e sabotojnë mbledhjen e komisionit në mënyrë që mos të zbardhet e vërteta. Sipas tyre, deputetët e Vetëvendosjes janë parë brenda Kuvendit, por “nuk po vijnë qëllimshëm”.

Kryetarja e Komisionit, Time Kadrijaj tha se tri herë e ka shtyrë këtë mbledhje gjatë kësaj jave vetëm me arsyen që t’ju përshtatet të gjithëve.

Kadrijaj tha se mbledhjen e ka caktuar për në orën 11:00h, por për shkak të punëve të dy deputeteve, Fitore Pacolli dhe Jeta Statovci në parlament, e ka shtyrë prapë për në orën 13:00, por të njëjtat nuk kanë ardhur.

“Është tendencë që të ndodhë ngjashëm edhe në këtë komision në mënyrë që mos të zbardhet e vërteta”- tha ajo.

Kadrijaj tha që afati që i kanë rekomanduar Ministrisë së Punëve të Jashtme për t’i dorëzuar dokumentet e kërkuara ka skaduar dhe se i kanë kërkuar kohë shtesë. 

“Ata na kanë lajmëruar se ju duhet kohë shtesë. Ne do t’i kërkojmë ato dokumentacione pësëri” – tha Kadrijaj, duke treguar që MPJD ende nuk ua ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar.

Gjatë këtij takimi ishte planifikuar që të diskutohet për CV-të dhe të votohet për angazhimin e ekspertëve. 

“Ende nuk kemi CV nga Lëvizja Vetëvendosje. Ata nuk po vijnë edhe pse janë në Kuvend” -tha Kadrijaj, duke treguar se nga PDK, LDK dhe AAK kanë pranuar CV-të, por jo edhe nga LVV.

Deputeti, Hisen Berisha, tha që ka pranuar të jetë pjesë e këtij komisioni vetëm me idenë që është i përgjegjshëm, përndryshe nuk pranon të jetë pjesë e një mekanizmi që sabotohet.

“Nuk dua të jem pjesë e një mekanizmi që të sabotohet. T’i shkruhet një raport Kuvendit që po sabotohet puna. Nuk është mirë me shku gjashtë muaj”- tha Berisha.

Berisha tha që deputetët e Vetëvendosjes i ka parë në Kuvend edhe në shesh, e në Komision nuk kanë ardhur.

Deputetja Musliu- Shoshi tha që në këtë komision më shumë ka pasur “akuzë mbi akuzë” se sa që është bërë punë. Sipas saj, bojkotimi i mbledhjes veçse e dëshmon atë kritikë në vazhdimësi PDK-ja ka pasur që tri vite e gjysmë sa i përket politikës tonë të jashtme.

“Që ky komision nuk po mund të funksionojë nuk është çudi as edhe për mediat, sepse asnjë komision hetimor nuk ka pasur mundësi që me Lëvizjen Vetëvendosje të përfundojë punën dhe të nxjerrë raport”- tha Musliu-Shoshi.

Për angazhimin e ekspertëve, deputetët e pozitës dhe opozitës nuk kishin gjetur gjuhë të përbashkët as në mbledhjen e javës së kaluar. Mbledhja e kaluar që nuk zgjati më shumë se 17 minuta dhe përgjatë kësaj kohe anëtarët e Komisionit nuk arritën të pajtohen se cilët ekspertë të pavarur t’i angazhojnë në punën e Komisionit. 

Përderisa deputetët opozitarë me ngulm kërkonin që të angazhohen tre ekspertë, deputetët e pozitës nuk pajtoheshin me ta, duke ngulmuar që të jenë vetëm dy ekspertë. Në fund nuk u vendos asnjë, duke i lënë kështu vendimet për një mbledhje tjetër.

Deputetja Musliu-Shoshi ka kërkuar dokumentacione që i përkasin periudhës 2021 – 2023, ndërkaq pozita ka kërkuar dokumente edhe para mandatit të tyre.

Musliu-Shoshi kishte kërkuar që të themelohet ky komision që t’i hetojë të gjitha “degradimet që janë bërë në MPJD”, duke përfshirë procedurat e rekrutimit, emërimet e stafit, transferimet e çështje të tjera. Ndër tjera, ajo kërkoi procesverbalet, dosjet, shpalljet e konkurset, vendimet e komisioneve, përbërjen e komisioneve, vendimet për transferet e brendshme, vendimet për transferet paralele nga një mision në tjetrin, procedurat e emërimit, qasja në vendimin për dërgimin e diplomatëve në mandatin e parë, vendimet për emërimet zyrtarëve nga jashtë, qasje në pagat e diplomatëve, dosjen e Behar Ismës që ka qenë sekretar në MPJD, qasje në shpenzimet e kabinetit të ministres Gërvalla.

Ndryshe, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, kishte miratuar më 19.05.2021, propozimin e Qeverisë së Kosovës, për lirim nga detyra të 12 ambasadorëve të emëruar politikë nëpër vende të ndryshme.