Dëshmitari në gjykimin e Remzi Shalës: Akuzat janë të paguara nga shërbimet sekrete serbe

Një dëshmitar i cili po dëshmon në gjykimin për krime luftë ku i akuzuar është Remzi Shala, ka pretenduar se deklaratat e të dëmtuarve janë të pavërteta.

Gjatë së hënës në Gjykatën e Prizrenit, Xhafer Shukolli në dëshminë e tij tha se akuziat janë paguar nga shërbimet sekrete serbe me qëllim të dëmtimit të UÇK-së dhe Remzi Shalës.

“E them me siguri dhe bindje të madhe se këta djem janë të motivuar dhe paguar nga shërbimet sekrete serbe. Janë marrë në pyetje shumë dëshmitarë nga shumë fshatra, kostoja e shpenzimeve në janar ka kaluar 200 mijë euro gjithnjë sipas njerëzve të tyre” – tha Shukolli.

Remzi Shala akuzohet se në qershor të vitit 1998 bashkë me disa persona të tjerë, pjesëtarë të UÇK-së, për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi ishte duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria.

Përteshi pak ditë më pas ishte gjetur i vdekur pranë rrugës në fshatin e tij, Duhël të Suharekës.

“Unë edhe në seancat e mëparshme kam deklaruar se deklarata e Agron Përteshit, të gjitha që më janë treguar mua janë sajesa dhe krejtësisht të pavërteta. Dhe këtu do t’i përmend të gjitha një nga një të cilat në fillim të këtij procesi gjyqësor dukeshin si të vërteta për të akuzuar UÇK-në lidhur me vdekjen e babait të tyre” – ka deklaruar Xhafer Shukolli.

Shukolli tha se sipas tij, akuza nuk qëndron ngase i ndjeri Haxhi Përteshi nuk ishte vra, ndërsa Agroni pas vdekjes së babit të tij nuk ishte takuar me “Komandant Gurin”.

Lidhur me deklaratën e Agron Përteshit dhënë në emisionin “Drejtësia në Kosovë” për momentin e marrjes së tani të ndjerit, Shukolli shtoi se është vështirë të vlerësohet se si në mesin e 5-6 personave Remzi Shala ka qenë pa maskë.

Pos tjerash, ky dëshmitar i dorëzoi trupit gjykues deklaratën me shkrim në 6 faqe.

Këto pretendime të dëshmitarit u kundërshtuan nga ana e Prokurorisë Speciale, avokatit Asdren Hoxha, përfaqësues i palës së dëmtuar dhe nga vetë i dëmtuari Zenel Përteshi.

Gjykata si dhe Prokuroria e udhëzuan dëshmitarin që në rast të provave ose të informatave të tjera t’i paraqesë në Prokurorinë Speciale.

Prokuroria Speciale po e akuzon Remzi Shalën se ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile.

Sipas aktakuzës të datës 19 tetor 2016, të ngritur nga prokurori vendor Haki Gecaj, Remzi Shala akuzohet se në qershor të 1998-ës bashkë me disa persona tjerë – pjesëtarë të UÇK-së kanë privuar nga liria Haxhi Përteshin, i cili disa ditë më pas është gjetur i vdekur në afërsi të rrugës në fshatin Duhël.

Sipas Prokurorisë, Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës “Molla e Kuqe”, i armatosur me armë të gjatë dhe me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së bashku me 5-6 pjesëtarë të kësaj ushtrie të armatosur e me maska në fytyrë dhe të paidentifikuar deri tani, më 26 qershor 1998 rreth orës 23:00 për shkak të dyshimit se Haxhi Përteshi është duke bashkëpunuar me forcat serbe, kanë shkuar te shtëpia e tij duke e privuar nga liria