
Seanca fillestare ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve në rastin e '53 milionëshit' - 04.05.2022
Dëshmitari tregon se si iu kërkua një opinion ligjor për rastin e '53-milionëshit’ në Ministrinë e Infrastrukturës
Në gjykimin ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, sesioni i pasdites ka vazhduar më dëgjimin e dëshmitarit, Avdi Kamerolli.
Paraprakisht, paraditen e së premtes të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.
Në anën tjetër, dëshmitari Kamerolli nga 15 marsi i vitit 2018, deri më 15 shtator 2018 kishte transfer të përkohshëm në Departamentin ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës.
I njëjti tha që më 31 maj dhe 1 qershor të vitit 2018 kishte kërkesë që nga ana e tij të përpilohet një opinion ligjor për një projekt kapital, e që bëhej fjalë për autostradën Prishtinë-Shkup.
Ai tutje tregoi që më 31 maj 2018 i njëjti ishte i ftuar në zyrën e këshilltarit të lartë ligjor, Eset Berisha ku ky i fundit i kishte kërkuar dëshmitarit që ta bëje një opinion ligjor për çështjen e 53 milionëshit.
“Me 31 maj 2018, kam qenë i ftuar në zyrën e këshilltarit të lartë ligjor Eset Berisha edhe aty ka kërkuar me gojë që të bëjë një opinion ligjor për çështjen që kanë të bëjnë me 53 milionëshin, kërkesa ime ka qenë me pas kërkesë me shkrim kanë thanë që është e mjaftueshme edhe me gojë”- tha Kamerolli.
Dëshmitari tha që Berisha i kishte kërkuar që të përpilojë një opinion ligjor nga një dokument i cili ishte tre-faqësh, pasi që ishte kërkesa e kabinetit të ministrit.
“M’i ka prezantuar në formë të shkruar një shkresë me tri faqe edhe ka thanë se kërkesë e kabinetit të ministrit është me i përpilu këto tri faqe në opinion ligjor edhe shkresën e kom pa, edhe kom kërku që të njëjtën me ma dërgu në kopje elektronike, edhe të njëjtën ditë ma ka dorëzuar përmes mënyrës elektronike”- vazhdoi tutje dëshmitari.
Dëshmitari tregoi që shkresa që i ishte prezantuar nuk kishte logo, e ku aty shkruhej që Qeveria e Kosovës ia ka borxh kompanisë “Bechtel & Enka” 63 milionë euro.
“Jo shkresa nuk ka pas logo unë nuk e disha a është shkresë e Bechtelit, apo e ministrisë apo e kujt, me këtë shkresë se na ia kemi borxh Bechtelit 63 milionë euro…, ata dojshin që mu me më bo autor të asaj shkrese (ai që ma ka dërgu), unë nuk e di kush është autori i saj”- shtoi dëshmitari.
Kamerolli tha që i ishte kërkuar që për një ditë të bëjë opinionin ligjor, ky i fundit e kishte përpiluar opinionin vetëm sa i përket zgjatjes së kontratës e sa i përket borxhit nuk kishte dhënë opinion.
Dëshmitari tha se nga tashmë i akuzuari Eset Berisha, kishte pasur presion duke i bërë me dije Kamerollit që po punon kundër kabinetit ministror dhe se do të ketë pasoja në rast se nuk zbatohen politikat e kabinetit.
Dhe i njëjti kishte larguar fjalën e “Hill International” si pjesë e opinionit ligjor.
Sipas Kamerollit, jo përmes rrugëve zyrtare, por nga biseda e sipër kishte dëgjuar se vlera e projektit për ndërtimin e autostradës, do të ishte rreth 600 milionë euro.
Ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen se janë përfshirë në afera korruptive kur ishte vendosur për ndarjen e këtyre mjeteve në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.
Me veprimet e tyre ata akuzohen se buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 euro.
Sipas PSRK-së, ndonëse të pandehurit kanë qenë në njohuri që sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto.
Aktakuza thotë se Lekaj kishte caktuar Eset Berishën që të marrë pjesë në negociata për arritjen e marrëveshjes me “Bechtel & Enka” ku ata pajtohen që në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve, Ministria e Infrastrukturës t’i paguajë koston shtesë në vlerë prej 53 milionë e 100 mijë euro.
Sipas Prokurorisë, historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë “Bechtel-Enka” për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.
Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27 nëntor 2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.
Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.
Vendimin për ndarje e kishte nënshkruar në atë kohë Ramush Haradinaj sa ishte në krye të Qeverisë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur e rastin e ’53 milionëshit’ mund t`i lexoni duke klikuar në LINK .