Muhamet Ajeti, dëshmitari i trembëdhjetë i mbrojtjes duke dëshmuar në gjykimin ndaj Salih Mustafës para Dhomave të Specializuara të Hagës – 22.04.2022

Gjykimi ndaj Salih Mustafës, dëshmitari Ajeti tregon se kur e ka takuar Mustafën

Muhamet Ajeti, dëshmitari i trembëdhjetë i mbrojtjes sot ka filluar dëshminë e tij në gjykimin ndaj Salih Mustafës para Dhomave të Specializuara të Hagës.

Ajeti mohoi ta ketë parë në prill të vitit 1999 Salih Mustafën në fshatin Zllash të Prishinës.

Salih Mustafa i njohur me nofkën Komandant “Cali” nga Prokuroria Speciale po akuzohet për krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Ish luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë(UÇK) Muhamet Ajeti për trupin gjykues ka sqaruar se në ushtri ishte kyçur në qershor të viti 1998 në Shalë të Bajgorës – Zona Operative e Llapit.

Ai pohoi se me 3-31 mars pas bombardimeve të NATOS kishte shkuar në Zllash ku bashkë me disa ushtarë të tjerë 10-15 veta kanë qëndruar në një vend mbi shkollën e Zllshit.

Në vendin ku kishte qëndruar Ajeti deklaroi se në një oborr kishin qenë dy shtëpi të vendosura përballë njëra tjetërës.

“Në atë shtëpi u kon oborri plot njerëz, t`u i vendos nëpër dhoma, që kishin mbërri para neve”, tha dëshmitari duke shtuar se këta njerëz kanë fjetur aty në atë vend.

Në vijim të gjykimit atij në ekran iu shfaqën fotografi për të cilat tha se dy ndërtesat ishin përdorur për të fjetur ushtarët dhe të plagosurit.

“Sigurisht kanë fjetur ushtarë edhe popullatë para ofensivës, po në dhjetor këto kanë qenë të pabanueshme pa gëlqere, kur jam ardh e kam pa që janë gëlqeros. Kjo më kujtohet që u kanë që u shndërru në spital, të plagosurit të gjithë janë ardh këtu”, deklaroi Ajet.

Tutje ai ka pohuar se e njeh Rrahman Dinin, për të cilin bëri të ditur se e kishte parë në dhjetor të vitit 1998, ndërkaq Salih Mustafën e kishte njohur vetëm si “Cali”.

“Salih Mustafën e njoh diku nga gjysma e tetorit të vitit 1998, e njoh normal, atë kohë e kam njohur si “Cali” jo si Salih Mustafa”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari mohoi se në prill të ’99 në Zllash ta ketë takuar Mustafën. Sipas tij, para se ta lëshonin Prishtinën në tetor të vitit 1998 e kishte takuar Salih Mustafën në fshatin Koliq.

“Kur kemi mbërri në Koliq me të plagosur, ky ka ardh aty, e kam taku me një pjesë të plagosurve, se jemi shku grupe grupe dhe aty e kam taku në Koliq kur kemi tubu të gjithë të plagosurit. Kishim hallin qysh mi dërgu të plagosurit në Majac të Llapit dhe e di që ka kërku sa ma shpejtë me i nis të plagosurit dhe dikush që e din rrugën, unë jam kon njëri prej tyre se kam lëviz dhe qëndru në Majac. Unë me disa ushtarë i kemi marrë të plagosurit dhe i kemi nis në Majac dhe deri në Majac i kena përcjell gjithë të plagosurit”, sqaroi Ajeti.

Dëshmitari deklaroi se BIA ka qenë guerila e qytetit ku ai i ka takuar kësaj njësie, ku BIA kishte bërë furnizimin me shumë gjëra, barna, veshmbathje në pjesën e Llapit e Gollakut.

Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e prokurorit të specializuar.

Ish komandant “Cali” akuzohet për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtaret e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Të gjitha raportimet e Kallxo.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK.