Deputeti i PDK-së i kërkon LDK-së ta prishë koalicionin me Vetëvendosjen

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, nga foltorja e Kuvendit i ka bërë një kërkesë zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që vjen nga radhët e LDK-së.

Deputeti Hoxha i ka kërkuar Hotit që t’i japin afat Lëvizjes Vetëvendosje për të hequr tarifën prej 100%.

“Po çohnu o zëvendëskryeministër, e merrne një vendim e jepni një afat 48 orë Lëvizjes Vetëvendosje që ta heqë taksën, e nëse nuk e heqin, dilni nga koalicioni. Nuk bahet nami. Mos i rrezikoni raportet me ShBA-në vetëm për ta mbajtur pushtetin”, ka thënë deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha.

Kuvendi i Kosovës po mban seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të deputetëve të PDK-së dhe deputetëve të tjerë.

Në këtë seancë po diskutohet për zhvillimet e fundit dhe reagimet e zyrtarëve të ShBA-së për mosheqjen e tarifës 100 për qind nga ana e Qeverisë së Kosovës ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.