Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deputeti i PDK-së akuzon, Ministrinë e Financave, për fshehjen e 'vjedhjes' së 200 mijë eurove

Deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, gjatë seancës së Kuvendit, kishte drejtuar pyetje te ministri i Financave, Hekuran Murati, se a ka ndodh një muaj më parë një vjedhje e ngjashme në thesarin e shtetit në vlerë prej 200 mijë euro.

“A i janë paguar një kompanie 200 mijë euro edhe pse është mbajt fshehur. 2.1 milionëshi nuk është mbajt fshehtë e ka marr vesh krejt bota e pse këto 200 mijë euro duhet me u mbajt fshehtë. Pse duhet me u mbajt hajnia fshehtë kur vidhen 200 mijë euro kjo është e fshehje e veprës penale edhe abuzim me detyrën zyrtare”, tha Haxhiu.

Ministri Hekuran Murati, tha se për këtë çështje ka pas konferencë dhe se rasti është në prokurori. Sipas tij të gjitha mjetet janë kthyer.

“Normalisht nuk do të përgjigjesha me qenë se shumica e shifrave që u dhanë janë të pa vërteta mirëpo me këto të fundit më duhet të reagoj publikisht me qenë se ka të bëjë me besueshmërinë në institucionet e vendit. Një rast i pagesës së dyfishtë për shkak të sistemimit ka ndodh nga një organizatë buxhetore që ka qenë e pa ligjshme. Nuk ka ndodh në Ministri të Financave nuk ka ndodh përmes thesarit por nga një organizatë tjetër buxhetore. Ne si ministri i kemi marr gjitha masat të gjitha mjetet janë kthyer deri në centin e fundit rasti është në prokurori”, tha ai.

Murati tha se besueshmëria në institucione ekziston dhe nuk guxon askush sipas tij të bëjë një vepër të pa ligjshme pa u ndëshkuar.

Haxhiu, ka replikuar duke thënë se ministri e konfirmoi se e ka mbajtur fshehtë këtë vjedhje.

“Po mos ju pyesja unë ju nuk do të dilni të tregoni”, tha ai.

Murati shtoi se interpretimi i Gjykatës Kushtetuese ka mundësuar që deputetët edhe munden me shpif në këtë foltore edhe pa pas pasoja juridike.

“Kështu që e keni lirinë”, iu drejtua Murati deputetit Haxhiut.