Deputeti gjerman tregon nëse ka rezistencë nga Gjermania për të dërguar tanke në Ukrainë

Deputeti i partisë së gjelbër në Parlamentin e Gjermanisë, Anton Hofreiter, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka folur për ndihmën që po i ofron Gjermania ushtrisë së Ukrainës.

Deputeti gjerman ka thënë se ai po bën më të mirën që shteti i tij ta ndihmojë Ukrainën.

“Ne po bëjmë shumë. Ne po dërgojmë shumë armë në Ukrainë, por, po, nuk jam i kënaqur, unë dua që ne të dërgojmë edhe më shumë. Së fundmi, ministri i mbrojtjes njoftoi se ne do të dërgojmë më shumë automjete të blinduara apo xhipa apo lansues të raketave” – ka thënë ai.

I pyet se pse Gjermania nuk po e bën furnizimin me tanke, Hofreiter ka thënë se as ai nuk po e kupton këtë.

“As unë nuk po e kuptoj këtë, por shpresoj se do të ndodh dhe po bëj më të mirën, siç po bëj më të mirën për ju për liberalizimin e vizave, po bëj më të mirën që ne ta ndihmojmë Ukrainën edhe më shumë. Ne po bëjmë shumë por mendoj që ne mund të bëjmë edhe më shumë” – ka thënë ai në emisonin “Kallxo Përnime”.

Deputeti gjerman ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

“Jam në favor të asaj që Kosova të bëhet anëtare e NATO-s dhe nëse dëshironi të bëheni anëtare e NATO-s ju duhet t’i ofroni diçka NATO-s, pra duhet të ofroni diçka për NATO-n dhe për këtë ju duhet një ushtri e cila nuk ka nevojë që të jetë e madhe por duhet të ofrojë diçka dhe pastaj ju keni gjasa të jeni anëtare e NATO-s” – ka shtuar ai.