Departamenti i Drejtësisë kërkon të fajësojë ish presidentin Trump për shpërfillje të gjykatës

Departamenti i Drejtësisë po i kërkon një gjykatësi federal që të shpallë fajtor ish presidentin Trump për shpërfillje të gjykatës lidhur me dështimin për ta përmbushur një thirrje të lëshuar këtë verë përmes së cilës urdhërohej ish-presidenti t’i dorëzonte të dhënat e shënuara të klasifikuara, thanë për CNN dy burime të njohura me këtë çështje.

Zhvillimi vjen pasi ekipi ligjor i Trump tha se ka kryer kërkime në katër vende pak para Ditës së Falënderimeve, duke gjetur dy dokumente me shenja të klasifikuara në një strukturë magazinimi në Florida. Ekipi i Trump ia dorëzoi ato dy dokumente FBI-së dhe i njoftoi një gjykatësi federal në Uashington, DC, se ata besonin se Trump ishte tani në përputhje me një ftesë gjashtëmujore.

Mirëpo, Departamenti i Drejtësisë nuk u pajtua. Dhe në një përshkallëzim javën e kaluar, prokurorët e departamentit i thanë shefit të distriktit të DC, gjyqtarit Beryl Howell, i cili mbikëqyr procedurat e jurisë së madhe federale atje, se kërkimet nuk ishin të kënaqshme. Procedurat e shpërfilljes përpara Howell janë të vulosura.

Procedurat veçse e shtojnë presionin ndaj Trump pasi ai përballet me përgjegjësi të mundshme penale në hetimin e dokumenteve të Mar-a-Lago që po kryhet nga këshilltari special Jack Smith. Procedurat gjithashtu e shtojnë një kapitull tjetër në luftën e vazhdueshme për zyrtarët federalë për t’i rimarrë të dhënat e qeverisë – veçanërisht ato që përmbajnë sekrete të sigurisë kombëtare – nga Trump pas përfundimit të administratës së tij.

Në muajt janar dhe qershor, ekipi i Trump dorëzoi kuti dhe një zarf me të dhëna federale, duke përfshirë disa, të shënuara si të klasifikuara. Agjencitë federale kishin kërkuar kthimin e tyre për muaj të tërë dhe Departamenti i Drejtësisë lëshoi një urdhër me shkrim që kërkonte dokumente të shënuara si të klasifikuara në maj.

Edhe pas urdhërit me shkrim, hetuesit gjetën arsye për ta kontrolluar Mar-a-Lago, duke sekuestruar 33 kuti të tjera të dhënash, duke përfshirë më shumë se 100 dokumente të shënuara të klasifikuara. Kohët e fundit, prokurorët kanë këmbëngulur se dokumentet e ndjeshme të qeverisë ende mungojnë dhe se Trump ishte i detyruar t’i kthejë ato.

Departamenti i Drejtësisë nuk ia ka zbuluar ekipit ligjor të Trump se cilat materiale beson se nuk janë kthyer, sipas një burimi.

Një seancë dëgjimore është caktuar për të premten, kur Howell do të shqyrtojë nëse do ta fajësojë Trump dhe zyrën e tij pas presidencës për shpërfillje të gjykatës. Nëse mbahet si fajtor, Trump mund të gjobitet. Fajësimi për shpërfillje të gjykatës lidhur me urdhërat për dokumente është bërë një tipar i ngatërresave gjyqësore të Trump që kur ai la detyrën si President.

Në seancën dëgjimore të së premtes, ekipi ligjor i Trump pritet të argumentojë se kërkimet e fundit për materiale të klasifikuara në katër lokacione, duke përfshirë Trump Tower, ishin të gjitha të plota dhe duhet ta provojnë pajtueshmërinë e tij me urdhërin me shkrim, sipas një burimi të njohur me strategjinë mbrojtjese të ish-presidentit.

Hetuesit e punësuar nga ekipi Trump ekzaminuan vendndodhjet, tha burimi, dhe në shumicën e rasteve nuk gjetën sende të rëndësishme. Në rastin e njësisë së magazinimit ku u gjetën dy dokumente të shënuara të klasifikuara, ky burim tha se hetuesit kanë hasur në kuti të pahapura që duhej të hapeshin me thikë. Burimi vuri në dukje se gjendja e atyre kutive tregoi se ato nuk ishin hapur që kur Trump u largua nga detyra e presidentit./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala