“Dekonstruktimi i mitit të Shqipërisë së Madhe”, prezantohet hulumtimi për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri

Vetëm 31.6 për qind e qytetarëve të Shqipërisë kanë vizituar Kosovën në krahasim me 88.7 për qind  të kosovarëve që kanë vizituar shtetin shqiptar.

Kjo u bë e ditur në kuadër të diskutimit i organizuar nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)   dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) pas publikimit të hulumtimit për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri.

Andi Dobrushi, drejtor i OSAFA, tha se synimi i këtij raporti është shtrirja e raporteve nga nivelet e qeverive tek qytetarët dhe të shërbejë si udhërrëfyes për punën e dy qeverive.

“Ky projekt është skanimi më i mirë që është bërë deri tani për marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri. Synimi i këtij raporti është që  ky bashkëpunim të mos ngel vetëm në nivelin e qeverive. Moszbatimi i marrëveshjeve  është problemi kryesor, le mjaftë për të dëshiruar. Ky diskutim duhet të shërbejë si udhërrëfyes për të dy qeveritë”, tha Dobroshi.

Berat Thaçi, nga Instituti GAP, tha se problemet më të madhe në mes dy shteteve vihen re tek marrëdhëniet tregtare.

Thaçi tha se kjo ndodh për shkak  ligjeve shqiptare për të favorizuar produktet vendore.

“Barrierat tregtare, janë ndër problemet me të theksuara në mes dy shteteve. Kosova dhe Shqipëria deri më tash kanë nënshkruar 15 marrëveshje, nga të cilat asnjë nuk është në faqet zyrtare. Ka ngecje për një bashkëpunim më të afërt. Kostot që paguajnë prodhuesit kosovar në dogana shqiptare janë të larta, por kjo ndodh edhe për shkak të ligjeve që mbrojnë prodhuesit vendor, që e ka Shqipëria”, theksoi ai.

Visar Vokrri nga Instituti “Riinvest tha se rritja e eksportit të Shqipërisë kundrejt Kosovës nuk ka qenë simetrike.

“ Në vitin 2018, Shqipëria në shtetin e Kosovës, ka eksportuar 200 milionë euro mallra në krahasim me Kosovën kjo rritje nuk ka qenë simetrike, duke eksportuar vetëm rreth 100 milionë euro në drejtim të saj”, tha Vokrri.

Raporti i projektuar në kuadër të anketave i zhvilluar me rreth 2000 persona matë ndërveprimin dhe qëndrimet e qytetarëve të të dyja vendeve për një sërë çështjesh si: niveli i bashkëpunimit, distanca sociale, imazhet për fqinjët, integrimit evropian, bashkëpunimin rajonal, perceptimet dhe steriotipet ndaj njëri-tjetrit, qëndrimet ndaj bashkëpunimit zyrtar të të dyja vendeve dhe qëndrimet ndaj bashkimit kombëtar.

Disa nga gjetjet e raportit janë si më poshtë:

73,5% e vizitave nga Kosova në Shqipëri janë për turizëm;

85% e të anketuarve në Shqipëri ndihen të sigurt për të udhëtuar në Kosovë;

74,8% e shqiptarëve të Shqipërisë janë pro bashkimit me Kosovën;

63,9% e shqiptarëve të Kosovës, janë pro bashkimit me Shqipërinë;

Shqiptarët  e Kosovës kanë bindjen se e njohin më mirë Shqipërinë se sa qytetarët e Shqipërisë, Kosovën. Të njëjtën bindje kanë edhe këta të fundit.

Të dy palët, edhe shqiptarët e Shqipërisë edhe ata të Kosovës, besojnë se secila palë është më mikpritësja, më familjarja, me e besës dhe  më punëtore .