Deklarimi i mundshëm pasurisë nga mjekët dhe profesorët, përkrahet por edhe kundërshtohet nga sindikalistët

“Nuk ka kurgjo të keqe”, thotë kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, për vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës që nëpërmes plotësimit të ligjit, në listën e zyrtarëve publik që deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion, të hyjnë edhe mjekët e licencuar dhe profesorët e universiteteve publike.

Ai rikujton se edhe para dy vite e gjysmë e kanë diskutuar çështjen e deklarimit të pasurisë së mjekëve, mirëpo kryetari i OMK potencon se ka qenë pikëpyetja pse vetëm mjekët, pasi sipas tij, të gjithë punëtorët e sektorit publik, duhet të deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Inicimin për deklarim të pasurisë, ai thekson se e kanë mirëpritur edhe anëtarët tjerë të Odës së Mjekëve.

“Para dy vjet e gjysmë ne patëm reaguar me arsyetimin, pse veç mjekët?. Duhet të gjithë të deklarojnë, sepse ne që jemi duke marrë paga prej sektorit publik mund të jemi të ekspozuar ndaj korrupsionit të mundshëm, keqpërdorimit të detyrës, andaj të deklarohen të gjithë ata që marrin paga nga sektori publik”, u shpreh ai për KALLXO.com.

Për kryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Blerim Syla, vendimi i sotëm i Qeverisë së Albin Kurtit, që miratoi kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë që në listën e zyrtarëve publik që deklarojnë pasurinë, të hyjnë edhe mjekët e licencuar dhe profesorët e universiteteve publike, është vendim shatazhues, i dyshimtë dhe një lloj presioni për stafin shëndetësorë në vend.

“Sepse një vendim i tillë erdhi vetëm pesë ditë para se, të mbahet greva masive”, thotë ai.

“Është një vendim i cili vjen para datës 15 (dhjetor 2021) ku është koha e fundit për rritje të pagave edhe ligjin e pagave, ky është pikë dyshimi një lloj presoni një lloj shantazhi. Veçse edhe do ta shohim a është kushtetuese apo jo”, u shpreh ai për KALLXO.com

Syla megjithatë shton se është dakord që mjekët ta deklarojnë pasurinë, por nuk është dakord me ndarjen që është bërë, pasi nuk janë përfshirë të gjitha institucionet.

Nismën për deklarim të mundshëm të pasurisë së profesorëve e cilëson pozitive, Rrahman Jashari, kryetar i Sindikatës së Arsimit, mirëpo ai kërkon nga Qeveria që të kërkoj deklarim të pasurisë që nga çerdhet e më tutje, pasi thotë se gjendja ekonomike e shumicës së profesorëve, parauniversitar, është e rëndë dhe se shumica prej tyre janë në kredi.

“Pasi që ja ka nis me arsimin, le t’ia nisë që nga çerdhet, punëtorët ndihmës dhe të gjithë t’i paraqesim pasuritë tona edhe ai le të bindet se punonjësit e arsimit parauniversitar jetojnë në kushte tepër të vështira dhe mezi e lidhin muajin me muj, e pothuajse të gjithë janë me kredi”, shprehet ai.

Jashari, tha se nesër do të komunikoj me sindikatën e profesorëve universitar dhe “të shohim cili është mendimi dhe qëndrimi i tyre”. Pjesë e SBAShK-ut janë shtatë universitete në vend dhe një pjesë e profesorëve universitarë janë pjesë e kësaj organizate.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, në gusht të vitit të kaluar, para Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregullore të Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, pati treguar se në plotësim ndryshimin e ligjit për këtë agjenci, do të përfshihet edhe deklarimi i pasurisë i mbi 1,000 zyrtarëve policor si dhe mjekëve e profesorëve.

“Është planifikuar që mbi 1,000 zyrtarë policorë të deklarohen, profesorët si dhe mjekët, janë në draft të ligjit që është punu, por me rënien e vazhdueshme të qeverisë nuk ka mundur të shkojë më tutje”, pati thënë ai.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, u miratua kërkesa Ministrisë së Drejtësisë që në listën e zyrtarëve publik që deklarojnë pasurinë, të hyjnë në këtë mes edhe mjekët e licencuar dhe profesorët e universiteteve publike.

“Me këtë projektligj përmbyllet pako anti korrupsion. Ky projektligj mundëson deklarimin e pasurisë online. Të dhënat do të jenë lehtësisht të regjistrueshme edhe në institucionet e tjera. Është bërë kategorizim i ri i zyrtarëve për deklarim të pasurisë. Në kategorinë e zyrtarëve publik janë shtuar mjekët e licencuar dhe profesorët e universiteteve publike”, tha zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

Mjekët e profesorët futen në kategorinë e zyrtarëve që duhet ta deklarojnë pasurinë (kallxo.com)