Dëbimi i shqiptarëve me dhunë – 24 vjet nga eksodi i madh në Bllacë

Më 10 prill shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës së viteve 1998-1999, rreth 500 mijë shqiptarë u detyruan nga forcat paramilitare serbe të shpërngulen në Shqipëri dhe Maqedoni

Këtë të hënë shënohet 24-vjetori i eksodit të shqiptarëve të Kosovës, kur gjatë luftës së viteve 1998-1999, ata u detyruan nga forcat serbe të shpërngulen në Shqipëri e Maqedoni.

Për ta shënuar këtë ditë, në Qendrën Përkujtimore Bllacë në Han të Elezit, duke nisur nga ora 10:00, do të mbahet manifestimi përkujtimor “Eksodi Bllaca 99”, me ç’rast, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve te Shpërngulur nga Trojet e Veta do të ndajë çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga RMV, që kanë ndihmuar refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës së vitit 1998-99.

Gjithashtu në Bllacë, fotografi Asllan Krasniqit do të nxjerrë nga arkivi i tij për herë të parë pas 24 vjetësh dhe do të hapë ekspozitë me 24 fotografi të “Eksodit ’99 në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran”.

Përveç të shpërngulurve në Shqipëri dhe Maqedoni, mijëra shqiptarë kanë kaluar kufirin edhe me Malin e Zi, ndërsa qindra mijëra janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata kanë qenë fëmijë, gra, të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar.

Eksodi apo dëbimi shqiptarëve me dhunë nga vatrat e tyre ka arritur kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë (Serbisë dhe Malit të Zi), transmeton KosovaPress.

Para dy vjetësh, për të kujtuar ditët e shpërnguljes me dhunë të shqiptarëve nga shtëpitë e tyre dhe vuajtjet e tyre nga regjimi serb në Qendrën Përkujtimore “Bllaca ‘99”, në Han të Elezit është inauguruar monumenti “Muri i Kujtesës”, si dhe parku “Hasan Prishtina”.

Monumenti “Muri i Kujtesës” është një mozaik që simbolizon sakrificën e nënës shqiptare, bashkë me emrat e disa prej personaliteteve të shquara botërore që kontribuan në çlirimin e Kosovës, një vepër kjo artistike-monumentale që shpreh më së miri kujtimin dhe respektin për të gjithë ata që sollën lirinë dhe pavarësinë e shumëpritur.

Eksodi i shqiptarëve shënohet edhe në Kukës, çdo 16 prill.

NATO hyri në Kosovë nga 24 marsi i vitit 1999 deri më 10 qershor, pas shumë javësh sulmesh ajrore.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së, por Serbia dhe aleatët e saj kryesorë, Rusia dhe Kina, mbeten ashpër kundër pavarësisë së Kosovës./ Dukagjini