Debati rreth 'mospërfshirjes' së gruas me mbulesë në fotografitë e takimit në SHBA, flasin nga Presidenca dhe Qeveria

Publikimi i fotografive nga pritja në Departamentin amerikan të Shtetit e sekretarit të DASH-it, Antony Blinken për presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti, ka nxitur debat në Kosovë.

Kjo pasi në fotografitë e publikuara nga sekretari Blinken dhe presidentja Osmani, shihet një grua me mbulesë, e cila gjendet e ulur në anën e delegacionit amerikan, ndërsa në fotografitë e publikuara nga Zyra e Kryeministrit nuk shihet gruaja me mbulesë.

Të dy institucionet e Kosovës e kanë pasur të njëjtin fotograf, por që gruaja me mbulesë shihet vetëm në fotot e publikuara nga Presidenca. Si nga Qeveria ashtu dhe nga Presidenca kanë mohuar se ka pasur ndonjë ndërhyrje në fotografi.

Për debatin e ngritur, nga Zyra e Kryeministrit thonë që qëllimi ka qenë që të publikohen fotografitë që në fokus kanë krerët e delegacioneve.

Në lidhje me diskutimet që janë bërë nëpër rrjete sociale për largimin e qëllimshëm të gruas nga fotografia, KALLXO.com ka kontaktuar Zyrën e Kryeministrit për të marrë një sqarim.

Përparim Kryeziu zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se në këtë takim, nga Presidenca dhe Qeveria ka qenë i njëjti fotograf, dhe se nuk ka pasur ndërhyrje në fotografi.

“Në lidhje me reagimet publike rreth fotografive nga takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken ju njoftojmë se nuk pasur ndërhyrje në fotografitë në fjalë dhe se fotografitë e publikuara janë përzgjedhur në mesin e atyre të cilat ne i kemi pasur në posedim, duke vendosur fokusin të krerët e delegacioneve të të dy shteteve”, ka thënë ai.

Fotografia e Publikuar në Facebook të Kryeministrit Kurti

Kryeministri Kurti në profilin e tij ka publikuar 13 fotografi nga takimi me Blinken.

Tri prej tyre janë nga tryeza e diskutimit, mirëpo në asnjë prej tyre nuk është gruaja me mbulesë.

Presidentja Vjosa Osmani në profilin e saj në Facebook, ka publikuar 11 fotografi nga takimi me Blinken.

Nga këto 11 fotografi, tri prej tyre janë nga tryeza ku janë të ulur për të zhvilluar takimin.

Nga këto tri fotografi nga tryeza, në njërën prej tyre është gruaja me mbulesë.

Fotografia e publikuar në profilin e presidentes Vjosa Osmani.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Zyrën e Presidentes, Vjosa Osmani. Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes Osmani ka konfirmuar Presidenca e Qeveria e kanë pasur të njëjtin fotograf.

“Presidenca dhe Qeveria e Kosovës e kanë pasë një fotograf. Fotografia as nuk është hequr e as nuk është pre”, ka thënë Kupina për KALLXO.com.

Kurse, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në profilin e tij në Twitter ka publikuar dy fotografi nga ky takim.

Në fotografinë e dytë në tryezën e takimit, në skaj të fotografisë shihet edhe gruaja me mbulesë.

Fotografia e Publikuar në Twitter nga Blinken

Të hënën, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli kanë udhëtuar për në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ata janë pritur në takim nga Blinken të mërkurën.

Ndërsa mbrëmë Kosova dhe Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në ceremoninë e Kongresit amerikan kanë nënshkruar marrëveshjen e programit Kompakt mes Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Marrëveshja me MCC-në u nënshkrua nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe dy liderët institucionalë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Nënshkrimin e marrëveshjes e quajtën historike, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti.