Foto: ZKM

'De-eskalim dhe normalizim në veri', të gjitha pikat që Kurti ua prezantoi ndërkombëtarëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kuti ka njoftuar për një propozim pesë pikësh për shtensionimin e situatës në veriun e vendit.

Në një konferencë për media të martën, ai tha se që nga dita e djeshme është në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorët dhe zyrtarë të lartë ndërkombëtarë për të ofruar një zgjidhje për situatën e krijuar në veriun e vendit.

“Sot ditën e fillova me ambasadorët e shteteve të QUNIT-it të cilët i njoftova në lidhje me deeskalimin e plotë të situatës në katër komunat në veri të vendit, propozim të cilin e kam ndarë paraprakisht me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrel” – tha ai.

“Dje në orën 12:00 kam pasur një telefonatë me zëvendës presidentin e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së, z Borrel në lidhje me situatën në komunat në veri pas zgjedhjeve komunale” – deklaroi ai.

Kurti tha se për propozimin e tij ka njoftuar edhe përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak dhe në mbrëmje edhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Këto janë pesë pikat që Kurti ka propozuar para ndërkombëtarëve:

  1. Sundimi i ligjit në katër komunat në veri të Kosovës. Situata në veri nuk është normale për një kohë të gjatë por eskalimi më 29 maj e bënë urgjent sjelljen para drejtësisë gjithë ata që ushtruan dhunë ndaj policisë dhe ushtarëve të NATO-s dhe juve, gazetarëve. Kjo është e para pikë e drejtuar z. Borrel pas telefonatës, është sundimi i ligjit në katër komunat të Kosovës të krijohet siguria duke identifikuar, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të gjithë anëtarëve të grupeve kriminele që kanë sulmuar policinë, pjesëtarët e NATO-s dhe gazetarët. EULEX-i është i ftuar të monitoroj drejtpërdrejt thelbin e proceseve gjyqësore të lidhura me gjykimet.
  2. Grupet e dhunshme tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës. Në bazë të parimit të proporcionalitetit, prania e forcave të policisë në tri objektet komunale në veri të Kosovës do të zvogëlohet me rrethanat.
  3. Policia e Kosovës dhe KFOR-i apo EULEX-i, do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë, çdo 15 ditë për të garantuar një ambient të sigurt dhe pa rreziqe për të gjithë dhe për të mbështetur masat për sundimin e ligjit.
  4. Qeveria e Kosovës do të koordinohet me të gjithë aktorët dhe do të shpallë zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri. Zgjedhjet e reja duhet të organizohen në një atëmosferë zgjedhore të lirë, demokratike dhe të papenguar liberale.
  5. Kosova dhe Serbia rikthehen menjëherë në dialogun e ndërmjetësuar nga Brukseli, Bashkimi Evropian siguron një plan renditje të drejt dhe të balancuar për zbatimin e marrëveshjes bazike, Bruksel – 27 shkurt, dhe ankesit të zbatimit të saj, Ohër – 18 mars. Udhëheqësit e të dy shteteve takohen në një nivel të lartë të dialogut në Bruksel gjatë kësaj jave.