Dasma - Foto: REL/Shutterstock

Dasmat ‘mollë sherri’ mes estradës dhe Qeverisë

Pronarët e restoranteve dhe estradës mbajtën protestë para Qerisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie për shkak të moslejimit të mbajtjes së dasmave si pjesë e masave anti-COVID-19.

Këngëtari, Labinot Tahiri në protestën e sotme të estradës dhe pronarëve të restoranteve u shpreh se ka artista që ja vlen për ta me bë shteti shumë, se krejt këta artista kanë kontribuar pas UÇK-së e NATO-s në Kosovë.

Ai u shpreh se ndjehen të diskriminuar.

“Ne këtu jemi për shkak të diskriminimit dhe injorancës që iu bë artistëve për 20 vjet. Ne kemi shumë publik. E kam marrë djalin, familjen, me iu tregu që duhet me dalë për këtë kauzë, për bukën e gojës, jo vetëm për parti politike.”, deklaroi ai mes tjerash.

Këngëtarja , Edona Llalloshi u shpreh se përderisa shumë bizneseve të tjera po u mundësohet të punojnë, pse t’i mohohet komunitetit artistik puna.

“Pëderisa kanë filluar punën shumë biznese të tjera, pse të mohohet puna jonë. S’është shqetësim vetëm i estradës. Nëse ka kushte për mbajtjen e dasmave, do të kishte qenë shumë mirë që të shpëtohen shumë biznese tjera, individë që varen shumë nga ky vendim”, deklaroi Llalloshi.

Po ashtu edhe këngëtari Edi Furra shprehu pakënaqësitë e tij për moslejimin e mbajtjes së dasmave. Sipas tij, nga viti 2002 kanë qenë të rregullt në pagesën e tatimeve.

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, veç se me na lënë me punu. Besoj që shtetit ia kemi kryerë gjitha obligimet me rregull, nuk kemi pasur asnjë problem që nga viti 2002 kur është bërë ftesa e parë e ATK-së edhe prej atëherë deri më tani jemi tatim-pagues të rregulltë”, u shpreh Furra.

Përfaqësues të komunitetit artistik në orën 12:00 kanë mbajtur takim me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj. Ende nuk ka ndonjë vendim për mbajtjen e dasmave, si masë mbrojtëse ndaj Covid-19./RTV21