I akuzuari për vasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaça para gjykatës, 6 korrik 2023

Dardan Krivaça: Nuk jam në gjendje të deklarohem, mbrohem në heshtje

I akuzuari për vrasjen mizore të Marigona Osmanit, Dardan Krivaça në seancën e sotme ka refuzuar që të deklarohet dhe të japë mbrojtjen e tij.

Ai tha se do të mbrohet në heshtje.

“Nuk jam në gjendje me i spjegu, nuk jam në gjendje me u deklaru për çështjet që kanë ndodhur andaj edhe do të mbrohem në heshtje” –  u shpreh ai para trupit gjykues.

Ndërkaq i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu tha se se nuk qëndron prapa deklaratës që ka dhënë në Polici, për arsye se sipas tij, ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike.

I akuzuari për vasjen e Marigona Osmanit, Arbër Sejdiu para gjykatës, 6 korrik 2023

Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu kanë dalë sot sërish para Gjykatës së Ferizajit për tu përballur me akuzat për vrasjen e dhunimin e Marigona Osmanit.

Gjykimi ndaj të akuzurave për vrasjen e 18-vjeçares që tronditi vendin në 22 gusht të vitit 2021, akoma nuk ka arritur një verdikt final nga organet e drejtësisë.

Në seancën e fundit të 1 qershorit është bërë administrimi i provave materiale, ndër të cilat ishin video-incizimet e banesës së të akuzuarit Krivaça.

Me kërkesë të mbrojtësve të të akuzuarve si dhe palës së dëmtuar, gjykata këtë seancë e kishte mbyllur për publikun.

Shkak i kësaj ishte përmbajtja e ndjeshme të incizimeve në fjalë.

Sipas konstatimit të Prokurorisë, në korridor të banesës së të pandehurit ka pasur të vendosur një kamerë sigurie, e cila regjistronte 24 orë e që ka xhiruar edhe momente të ngjarjes.

“Regjistrimi ka kohën e saktë, kamera ka pamje nga dera e hyrjes së banesës dhe banjo, e njëjta ka pamje edhe të një pjese të derës së një dhome gjumi, si dhe një dhomë tjetër të cilën e kap vetëm një qosh, kjo e fundit edhe është dhoma ku janë kryer veprat penale”, përshkruhet në aktakuzë.

“Policia ka marr DVR, e njëjta është dërguar për ekzaminim, ku janë tërhequr pamjet për periudhën kohore prej shtatëdhjetë e dy orë dhe atë nga data 19.08.2021 ora 00:05 deri më 23.08.2021 ora 00:18”, përshkruan aktakuza e Prokurorisë, e cila detajon edhe kohën e saktë dhe veprimet e dy të pandehurve brenda banesës.

Në aktakuzë theksohet se Prokuroria e ka konsideruar videon të besueshme dhe ngjarja është regjistruar prej datës 19 gusht 2021.

“Ne e konsiderojmë videon të besueshme dhe të saktë, videoregjistrimet tregojnë se në fillim, konkretisht, më 19.08.2021, raportet në mes të pandehurit Dardan Krivaça dhe të ndjerës kanë qenë të mira, këto raporte fillojnë të përkeqësohen kur aty paraqitet i pandehuri Arbër Sejdiu, i cili vije në orën 16:18, së bashku me Dardanin, ku me vete ka një çantë me rroba, në orën 19:02, të pandehurit bisedojnë lidhur me kamerat, si dhe shikojnë se cilat pjesë të korridorit i kap kamera ku lëvizin në pjesë të ndryshme për të verifikuar se cilat pjesë të korridorit i kap kamera dhe vërehet se rolin apo fjalën kryesore për këtë e ka Arbër Sejdiu, në orën 19:56, Arbëri merr rrobat e tij dhe del nga banesa së bashku me Dardanin”, shkruhet në aktakuzën e Prokurorisë.

Prokurori në aktakuzën e përpiluar, ka përshkruar se si është organizuar dhunimi e më pas vrasja e Marigona Osmanit.“

Më 21.08.2021, ora 02:40, Dardan Krivaça, pas mesnate deri sa është në banjë me të ndjerën Marigona Osmani, e godet me dorë në fytyrë, 04:52, dalin nga banesa, 09:53, i pandehuri Dardan Krivaça dhe e ndjera Marigona Osmani, kthehen ku vërehet se e ndjera nuk ka kontroll të plotë, i merren mendtë, 10:02, i pandehuri e dërgon në banjë të ndjerën Marigona Osmani, del në ora 10:14, ku vërehet se e njëjta reziston, mirëpo është kapur me duar dhe shtyhet me forcë drejt sallonit, 10:48, e dërgon me forcë në banjë, ku e ndjera është e zhveshur, ndërsa i pandehuri është veshur ku qëndrojnë deri në orës 11:09, kur dalin i pandehuri është zhveshur, dhe të ndjerën me dhunë e nxjerr nga banjë dhe e dërgon në dhomën e gjumit, 13:43, i pandehuri i cili është zhveshur i vendos kamerës një kapelë e cila mbulon pamjen deri në orën 19:57”, përshkruhet në aktakuzë.

Prokuroria e Ferizajt ka ngritur aktakuzë me datë 28.06.2022 ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut të dyshuar për vrasjen mizore të Marigona Osmanit.