Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Dallimi ndërmjet dozës përforcuese dhe vaksinës së tretë anti- COVID-19
Vaksinimi me dozën e tretë dhe përforcuese kundër COVID-19 në Kosovë ka filluar më 9 dhjetor 2021.
Deri më tani janë dhënë mbi 44 mijë doza përforcuese dhe mbi 10 mijë doza të treta të vaksinës kundër COVID-19.
Mirëpo, cili është dallimi ndërmjet dozës së tretë dhe dozës përforcuese?
Doza përforcuese kundër COVID-19 është një dozë shtesë e vaksinës që jepet së paku 6 muaj pas marrjes së vaksinës kundër COVID-19.
Një shtesë e tillë po ashtu shtohet edhe në vaksinat e tetanusit (tetanus është sëmundje infektive me rrezik të lartë).
Dozat përforëcuese mund t’i marrin të gjitha personat mbi moshën 18-vjeç pasi të kenë marrë dy dozat e vaksinave anti-COVID së paku 6 muaj më parë.
Doza përforcuese u jepet personave të cilët i kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët me kalimin e kohës imuniteti i tyre vjen duke rënë. Ndërsa doza e tretë u jepet personave të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por tek të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur.
Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë, thuhet në webfaqen e Ministrisë së shëndetësisë.
Në total në Kosovë janë administruar mbi 1,7 milion doza të vaksinave anti-COVID-19.